
Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes një kumtesë kanë akuzuar Këshillin e Komunës së Çairit se ka miratuar një vendim për huamarrje afatgjate prej 120 milionë denarë, me afat kthimi prej 10 vitesh, me qëllim të vetëm shlyerjen e borxheve ekzistuese të komunës. Nga VLEN-i menjëherë u kanë reaguar duke theksuar se edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshill e kanë miratuar këtë vendim, njofton Portalb.mk.
“Le ta themi qartë: kjo nuk është kredi për zhvillim. Kjo nuk është kredi për projekte. Kjo është kredi për të mbuluar dështimet. Kjo do të thotë që qytetarët e Çairit dhe gjeneratat e ardhshme do të paguajnë për vite me radhë për shpenzime që janë bërë tashmë, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa dobi publike. Dhe këtu lind pyetja thelbësore: si u krijuan këto borxhe? Qytetarët e Çairit e dinë shumë mirë se ku shkuan paratë. Në kontrata të përkohshme masive që u ndërprenë menjëherë pas zgjedhjeve. Në financimin e takimeve partiake dhe mobilizimin e aktivistëve. Në restorante dhe shpenzime luksi të lidhura me funksionarë qeveritarë. Në projekte që nuk kishin lidhje me zhvillimin, por me ndikimin e votës. Pra, kemi një model të qartë: shpenzo për zgjedhje, fito pushtetin, merr kredi, dhe lëre borxhin qytetarëve. Ky vendim nuk është vetëm i papërgjegjshëm. Është i padrejtë. Sepse sot po merret një kredi 10-vjeçare që do të paguhet nga qytetarë që nuk kanë përfituar asgjë nga këto shpenzime, që nuk kanë qenë pjesë e këtyre vendimeve dhe që në shumë raste as nuk kanë votuar për këtë pushtet”, thonë nga partia opozitare.
Nga BDI-ja akuzojnë edhe për transrapencë për shkak se, siç thonë, nuk ka listë të detyrimeve që do të shlyhen, nuk ka analizë se si janë krijuar borxhet dhe nuk ka përgjegjësi për ata që i kanë krijuar.
“Vetëm një fakt mbetet: 120 milionë denarë borxh pa përgjigje për arsyen. Ne nuk jemi kundër huamarrjes si instrument. Por jemi kundër keqpërdorimit të saj për të mbuluar abuzimet. Çairi nuk mund të trajtohet si një arkë zgjedhore që zbrazet gjatë fushatës dhe mbushet me kredi pas saj. Prandaj kërkojmë publikimin e plotë të çdo detyrimi që do të shlyhet me këtë kredi, audit të pavarur për shpenzimet e periudhës para zgjedhjeve dhe përgjegjësi individuale për çdo keqpërdorim të mjeteve publike. Sepse kjo praktikë duhet të ndalet”, thonë nga BDI-ja.
Nga VLEN-i në reagim thonë se vetë këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Çairit kanë dhënë mbështetje për miratim të vendimit për marrjes të kësaj kredie.
“Edhe vetë këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Çairit e kanë miratuar pikën që i jep të drejtë komunës për të aplikuar për kredi, duke treguar qartë se kjo është një praktikë normale dhe ligjore. Marrja e kredive nga institucionet shtetërore nuk është asgjë e pazakontë; ajo është pjesë e funksionimit të rregullt, realizimit të projekteve konkrete, vazhdimësisë së shërbimeve dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
