AKTUALE

LIGJI, NDËRGJEGJA DHE PËRGJEGJËSIA (Një lexim i “Komesari Memo” në kontekstin e rastit të z. Artan Grubi)

Banner

Shkruan: Rami Qerimi

Të dashur miq,
Jam i bindur se shumë prej jush e ka lexuar romanin e Dritëro Agollit ‘Komesari Memo”, ku është trajtuar një nga dilemat më të mëdha të shoqërive moderne: raportin midis ligjit dhe drejtësisë. Në thelb të kësaj vepre qëndron ideja se ligji, si produkt formal i sistemit, nuk është gjithmonë i barabartë me drejtësinë, e cila buron nga morali dhe ndërgjegjja njerëzore. Kjo dilemë nuk është thjesht letrare, ajo reflektohet fuqishëm edhe në realitetet juridike bashkëkohore, përfshirë rastin e z. Artan Grubi!

Në “Komesari Memo”, protagonisti përfaqëson pushtetin, por njëkohësisht edhe njeriun që ndodhet i bllokuar brenda tij. Ai nuk është një figurë e pamëshirshme, por një individ që e kupton padrejtësinë, megjithatë detyrohet të veprojë sipas rregullave të sistemit. Kjo përplasje midis ndërgjegjes dhe detyrës krijon një tension moral të vazhdueshëm.

Agolli, përmes këtij karakteri, na tregon se sistemi nuk shtyp vetëm qytetarët, por edhe vetë individët që janë pjesë e tij.

Një situatë e ngjashme mund të lexohet në mënyrë analitike në rastin e Artan Grubit. Vendimet që janë objekt i shqyrtimit nga nga institucionet ligjzbatuese dhe prokuroria, nuk janë akte individuale, por vendime kolektive të Qeverisë, të bazuara në procedura institucionale, mendime profesionale dhe vendimmarrje të përbashkët. Në këtë kontekst, lind pyetja thelbësore juridike: a mund të individualizohet përgjegjësia penale për një vendim kolektiv?

Të dashur miq, besoj se do të pajtoheni edhe ju se e drejta penale moderne mbështetet mbi parimin e përgjegjësisë individuale. Për të ekzistuar përgjegjësi penale, duhet të provohet jo vetëm veprimi konkret, por edhe elementi subjektiv – dashja për të kryer një shkelje dhe vetëdija për pasojat e saj. Në rastin konkret, mungesa e pretendimit për dëm financiar apo përfitim personal e bën kualifikimin penal të diskutueshëm. Kjo e zhvendos fokusin nga një analizë klasike penale drejt një interpretimi më formal të ligjit!

Këtu ndërhyn fuqishëm mesazhi i Agollit. Ashtu si Komesari Memo, i cili detyrohet të zbatojë rregulla që nuk prodhojnë drejtësi, edhe në raste të tilla ekziston rreziku që ligji të përdoret në mënyrë mekanike, duke humbur lidhjen me thelbin e drejtësisë. Nëse një vendim është marrë në përputhje me procedurat dhe pa pasoja konkrete të dëmshme, atëherë ndëshkimi penal mund të perceptohet si një formë e zbatimit formal të ligjit, por jo domosdoshmërisht si realizim i drejtësisë!

Një element tjetër i rëndësishëm është roli konkret i individit brenda vendimmarrjes. Në rastin e Grubit, ai ka pasur një rol procedural – drejtimin e mbledhjes, pa qenë propozues apo bartës i kompetencës materiale për çështjen. Kjo ngre një dilemë të ngjashme me atë të Komesarit Memo: a është individi përgjegjës për përmbajtjen e vendimit, apo vetëm për funksionin që ushtron brenda sistemit?

Në këtë pikë, analiza juridike dhe ajo letrare takohen. Agolli na paralajmëron për rrezikun e një sistemi që, për të ruajtur formën e ligjshmërisë, mund të sakrifikojë drejtësinë reale. Ai sugjeron se bindja e verbër ndaj rregullave nuk është virtyt, nëse ato rregulla prodhojnë padrejtësi. Por, njëkohësisht, ai nuk e glorifikon shkeljen e ligjit; përkundrazi, ai na fton të reflektojmë mbi nevojën për harmoni midis ligjit dhe ndërgjegjes!

Në përfundim, rasti i Artan Grubit, i parë në dritën e “Komesari Memo”, nuk është vetëm një çështje juridike, por edhe një provë për sistemin e drejtësisë. Ai shtron pyetjen nëse drejtësia duhet të mbështetet vetëm në interpretimin formal të normave, apo në një vlerësim më të gjerë që përfshin moralin, qëllimin dhe pasojat reale të veprimeve. Ashtu siç na kujton Agolli, drejtësia e vërtetë nuk mund të jetë produkt i një mekanizmi të ftohtë ligjor, por duhet të jetë rezultat i një ndërgjegjeje të gjallë njerëzore!

Është me rëndësi thelbësore që opinioni publik të ketë një pasqyrë të qartë dhe të bazuar në fakte: pajisjet që janë furnizuar për institucionin nuk janë shitur, nuk janë uzurpuar dhe nuk janë asgjësuar. Ato ekzistojnë, kanë vlerën e tyre ekonomike dhe vazhdojnë të kenë funksion të caktuar institucional!

Në këtë kontekst, çdo interpretim që synon të krijojë perceptim të kundërt nuk i shërben së vërtetës dhe cenon besimin në proceset ligjore.
Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe mbi bazën e provave konkrete, duke iu përmbajtur parimeve të shtetit të së drejtës. Ato nuk duhet të udhëhiqen nga emocioni, as nga presionet apo interesat e grupeve të caktuara politike apo ekonomike.
Drejtësia kërkon fakte, jo perceptime, kërkon ligj, jo ndikim! Vetëm kështu mund të ruhet integriteti i saj dhe besimi i qytetarëve!

Banner

Related posts

Nga qeverisja 4 vjeçare e Forumit Shqiptarë,10 të vërteta të pakontestueshme për sportin

admin

Nikollovski pas thirrjes për luftë tani kërkon 61 deputetë kundër shqiptarëve

admin

Në mbrëmje vazhdon debati për rikonstruimin e Qeverisë

admin