AKTUALE

25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit: Koha për barazi reale dhe model të ri politik

Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO), e arritur si pasojë e një konflikti të armatosur dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, ishte menduar të shërbente si themel i progresit politik, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve, si dhe si garanci për ndërtimin e një shteti realisht multietnik. Sot, 25 vjet më vonë, bëhet e qartë se zbatimi i saj ka qenë i pjesshëm, i zvarritur dhe shpesh i kushtëzuar nga vullneti politik i shumicës.

Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët kanë shënuar herë pas here hapa përpara, por këto përparime shpesh janë zbehur nga regresi politik dhe vetëkënaqësia e elitave. Marrëveshja Kornizë kishte një afat të qartë zbatimi për arsye objektive dhe funksionale; zvarritja e saj nuk mund të justifikohet si proces natyror. Kërkesat e vazhdueshme të palës maqedonase për “më shumë kohë” kanë reduktuar gradualisht peshën substanciale të MKO-së, ndërsa shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojnë pafundësisht të tregojnë mirëkuptim ndaj premtimeve boshe të qeverive radhazi.

Zgjedhjet e vitit 2024 dhe ardhja në pushtet e një qeverie me retorikë të theksuar etnocentrike përfaqësojnë një regres të rrezikshëm politik. Ky mentalitet cenon drejtpërdrejt frymën e MKO-së, minon harmoninë ndëretnike dhe krijon terren për ndikime destabilizuese nga jashtë, veçanërisht ato pro-serbe të mbështetura nga strategjitë ruse në rajon. Në këtë kontekst, shqiptarët nuk duhet të pranojnë më rolin e figurës dekorative në qeverisje.

Për më shumë se dy dekada, shteti ka funksionuar mbi një logjikë të pabarabartë, ku herë shpallet i të gjithëve e herë sillet si pronë e një etnie të vetme, dhe barazia trajtohet si lëshim politik dhe jo si e drejtë kushtetuese. Kjo qasje ka prodhuar pasiguri politike dhe mosbesim shoqëror. Prandaj, është koha për një debat të sinqertë mbi funksionimin e shtetit dhe modelet e reja politike që garantojnë barazi reale, pa cenuar integritetin territorial të vendit. Maqedonasit dhe shqiptarët përballen sot me një zgjedhje strategjike: të vazhdojnë me një sistem gjysmë-centralist, të mbingarkuar me tensione identitare, apo të ndërtojnë një model alternativ që garanton barazi reale dhe stabilitet afatgjatë.

Në këtë frymë, themelimi i Këshillit Shqiptaro-Amerikan për Maqedoninë e Veriut synon ndërtimin e një zëri të organizuar dhe me ndikim ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve. Përmes angazhimit strategjik në Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimit me organizata me ndikim në politikëbërjen amerikane, ky këshill synon të kontribuojë në ndërtimin e një Maqedonie të Veriut demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Aktualisht, Këshilli Shqiptaro-Amerikan për Maqedoninë e Veriut po bashkëpunon me disa organizata tashmë të konsoliduara dhe me ndikim në politikëbërjen amerikane për Ballkanin Perëndimor, përfshirë organizatën Albanians for America (AFA), dhe mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e tjera që veprojnë në Shtetet e Bashkuara dhe kanë për qëllim promovimin e çështjes shqiptare.

Related posts

Mexhiti: Nga 18 deputetë të Frontit, 3-4 deputetë me një këmbë janë pjesë e shumicës së re

Gjyla Halili

Kostadinov: Të ulen pagat e funksionarëve, parat e kursyera të investohen në masat kundër ndotjes së ajrit

Gjyla Halili

Osmani: Marrëveshja e Ohrit ma ka mundësuar që të mbërrij të bëhem kryetar i gjysmës së botës!

Gjyla Halili