Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim ligjin për Lojrat e Fatit, përmes të cilave parashihet largimi i objekteve të lojrave të fatit në distancë prej 500 metrave nga objektet shkollore. Pra, asgjë të dëmshme për qytetarët e vendit, por këtë nuk e nëshkruajti Pendarovski nën arsyetime banale që janë fyese për inteligjencën dhe kujtesën e qytetarëve. E më vonë as deputetët në Kuvend nuk e votuan këtë ligj. Nga kjo kuptohet që po luhet pingpong me ligje të cilat janë në interes të qytetarëve. Politikanët po harrojnë se ky vit është i zgjedhjeve të dyfishta dhe qytetarët do ta kenë momentin e tyre për të shpërblyer por edhe për të ndëshkuar ata politikanë që nuk kanë interesin e qytetarëve primar dhe esencial, shkruan Zhurnal.
Kur do të miratohet ligji për lojërat e fatit?
Ky ligj nuk do të miratohet asnjëherë pasi po luhet “ping pong” njëherë faji te presidenti e pastaj te Kuvendi. Por, çështja që kazinot të largohen në distancë 500 metra prej shkollave asesi të bëhet realitet. Kjo mbase shpesh herë po përdoret për pikë politike ku partitë herë krenohen e herë akuzojnë njëra tjetrin për mos miratimin e këtij ligji.
Propozim-ligji për lojërat e fatit do të mbetet në procedurë parlamentare. Kështu deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në pyetjen se çka do të ndodh me këtë propozim ligj, për të cilin edhe ambasadori i Austrisë në vend, dërgoi porosi që të kihet kujdes me mënyrën e miratimit. Sipas kryeministrit propozimi është përpiluar në bazë të kritereve evropiane dhe parashikon mbrojtjen e atyre që luajnë kumar, adoleshentëve, si dhe parashikon që të sjellë më shumë para në buxhetin e shtetit.
“Propozimi ligji është dorëzuar bashkë me deklaratën për harmonizimin i nënshkruar nga ministri përkatës, në këtë rast nga Ministri i Financave, me akt të theksuar qartë për Bashkimin Evropian me të cilin është bërë harmonizimi”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, ish kryeministër, në dhjetor të vitit 2023.
Tash, tre muaj më vonë me kryeministër teknik, Talat Xhaferi, me shumicë parlamentare stabile nuk arrihet dot të miratohet ky propozim ligj. Kjo deri në këto momente i ka ngjarë një loje të pakuptimtë që kanë bërë politikanët me qytetarët. Në njërën anë të reflektojnë se kanë dëshirë që ky propozim të miratohet në anën tjetër nuk votojnë për të njëjtin ligj.
VLEN: Nga 64 deputetë që ka shumica, vetëm 51 votuan pro Ligjit për Lojërat e Fatit –
Koalicioni i partive opozitare shqiptare, VLEN, hodhi poshtë si të pabaza të gjitha akuzat e partisë pushtet, BDI-së drejtuar opozitës shqiptare për mos-mbështetje të Ligjit për Lojërat e Fatit. “Vetëm në 100 ditët e fundit Artan Grubi përmes kurbanit të tij, Përparim bajrami po harxhon mbi 2.1 milionë euro para të qytetarëve për marketing dhe reklama të kazinove dhe lojërave të fatit nëpër mediat digjitale. Pra kjo qeveri e korruptuar në ikje nuk mendon për fushatat për sensibilizimin e qytetarëve, për lexim e arsim, për mbrojtje të shëndetit e sportit, për të mbrojtur shëndetin e për punësim, por mendon vetëm se si të nxis qytetarët për të luajtur sa më shumë kazino dhe lojëra të fatit.
Rrjedhimisht hapet dyshimi mos vallë në këtë mënyrë pushteti aktual planifikon ta financoj makinerinë e tyre propagandistike me dhjetëra portale nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Artan Grubit dhe Përparim Bajramit”, tha Fari Hiseni, VLEN.
Hiseni madje deklaroi se është non-sens të akuzosh opozitën për mos-mbështetje kur nga 64 deputetët që numëron shumica parlamentare, vetëm 51 votuan pro Ligjit për Lojërat e fatit.
“Sot nuk jemi këtu për të politizuar me BDI-në, drejtuesit e BDI-së vetë e kanë zgjedhur këtë rrugë të krimit dhe për këtë vendim dënimin do ta marrin nga qytetarët por edhe nga anëtarësia e BDI-së më 24 prill dhe më 8 maj…Është non-sens të akuzosh opozitën shqiptare për mospërkrahje kur nga 64 deputetët e kësaj qeverie pro kanë votuar vetëm 51 deputetë. Kjo është dëshmi e qartë që BDI dhe Kjo shumicë e kanë humbur busullën dhe se atyre tërësisht u ka rënë sistemi. Ne si opozitë jemi VLEN dhe VLEN-i është anti-bixhoz, ndërsa bixhozi është anti-VLEN. Por më 24 prill dhe 8 maj bixhozi do ti humb zgjedhjet, ndërsa VLEN do të fitoj”, tha Hiseni.
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, është ankuar se partitë opozitare bënë të pamundurën që të mos miratohet Ligjin për Lojërat e Fatit. Ademi tha se duhet të mbetet në ndërgjegjen e secilit deputet që nuk e përkrahu këtë ligj, përfshirë deputët e opozitës shqiptare, opozitares VMRO-DPMNE, Levicës dhe disa deputetëvë të tjerë nga koalicioni.
“Dje u pa një moment aspak i mirë për qytetarët e vendit nga deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, që së paku një herë, madje as edhe për një herë nuk u bashkuan njëzëri e të votojnë një ligj në të mirë të të gjithë qytetarëve. Opozita shqiptare, VMRO-DPMNE, Levica dhe disa deputetë të koalicionit, nuk përkrahën ligjin për Lojërat e Fatit, ligj ky që do të mundësonte që këto veprimtari të largohen 500 metra nga shkollat. Më vjen keq që me stërzgjatjen e debatit mbi këtë ligj e poashtu dhe mos përkrahjen e të njejtit, po mbrohet monopoli i kazinove dhe bastoreve, ndërsa nuk mendohet ardhmëria e qytetarëve dhe sidomos fëmijëve tanë, pasi këto veprimtari ndodhën shumë pranë objëkteve shkollore, ku mëson ndoshta fëmija im, apo edhe fëmijët e gjithësecilit prej jush”, tha Ademi.
Çfarë përmban ndryshimi në ligjin për Lojërat e fatit që nuk po votohet asesi?
Kazinot vazhdojnë të mbesin si vendet në të cilat ata që fitojnë humbasin më shumë, për faktin se pastaj vazhdojnë të frekuentojnë vendet e njëjta, ndërkaq ata që humbin janë fitues sepse dëshpërohen dhe nuk kanë se çfarë të humbnin më shumë largohen nga këto vende famëkeqe që shkatërrojnë boshtin familjar deri në palcë. Por, largimin nga kazinot duhet ta bëjnë vetë ata që frekuentojnë këto vende sepse përfaqësuesit e popullit në Kuvend kanë vendosur të mos votojnë ndryshimet në ligjin për Lojërat e Fatit.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim ligjin për Lojrat e Fatit, përmes të cilave parashihet largimi i objekteve të lojrave të fatit në distancë prej 500 metrave nga objektet shkollore. Pra, asgjë të dëmshme për qytetarët e vendit, por këtë nuk e nëshkruajti Pendarovski nën arsyetime banale që janë fyese për inteligjencën dhe kujtesën e qytetarëve. E më vonë as deputetët në Kuvend nuk e votuan këtë ligj.
Nga kjo kuptohet që po luhet pingpong me ligje të cilat janë në interes të qytetarëve. Politikanët po harrojnë se ky vit është i zgjedhjeve të dyfishta dhe qytetarët do ta kenë momentin e tyre për të shpërblyer por edhe për të ndëshkuar ata politikanë që nuk kanë interesin e qytetarëve primar dhe esencial. /Zhurnal.mk