AKTUALE

“ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ

Bujar Hudhri

Sado paradoksale të duket, mund të them se ideja për të hapur një librari të librit shqip në Amerikë mbase më ka lindur mbi tridhjetë vite të shkuara dhe pikërisht atje, në Amerikë. Si botues i ri, ambasada amerikane në Tiranë më kishte mundësuar një kurs specializimi në Nju-Jork. Kisha fatin e lumtur të mësoja nga puna e çmuar e redaktorëve të Alfred Knopf (pjesë e gjigandit të botimeve “Random House”), të cilët një vit më parë kishin botuar veprën e plotë të autores së tyre, nobelistes së atij viti, Toni Morrison. Pra, ishte një shtëpi botuese e klasit të parë.

Më ka ngelur në mend një episod, i cili përcaktoi përfundimisht profilin tim si botues. Kur po ndahesha nga menaxherja Tracey Cabanis, e pikasi një libër bestseller që e futa në çantë. Ç’do të bësh me të? më tha me një qeshje që m’u pak si tallëse. Do ta botoj në Tiranë, lexuesit vdesin për bestsellerët amerikanë, iu përgjigja. E pashë që u bë serioze dhe u zura paksa ngushtë. Botuesin e vërtetë e bën letërsia e gjuhës së tij. Mos e harro këtë. Dhe më dhuroi krejt veprën e deriatëhershme të nobelistes. (Bestsellerin e botoi një kolegu im pas dy vjetësh dhe shiti mijëra kopje dhe ende vazhdon.)

Qëkurse u ktheva në Shqipëri, deri më sot, letërsia shqipe është shtylla e botimeve “Onufri”. Ndaj, kur erdhi rasti që të bashkëpunoja me Kadarenë, tashmë isha i bindur se cilën rrugë do të ndiqja. Prej asaj kohe, “Onufri” ka botuar autorët më të mirë të letërsisë shqipe, mes të cilëve edhe Martin Camaj. Por, të botosh autorët e gjuhës sate është aq e lehtë. Krahas gëzimit që ti ke në marrëdhëniet me ta, po aq telashe të përplasen nga s’ta merr mendja. Aq e ndërlikuar është marrëdhënia me ta.

Do t’ju tregoj një rast, se sa rëndësi i kushtonte Kadareja lexuesit shqiptar dhe kjo do të thoshte se për ty si botues mund të ketë vetëm kritika. Ndërkohë që Kadareja jetonte në Paris, unë në Elbasan, më vjen një ftesë për të shkuar për specializim si botues po në Amerikë. Më e habitshmja ishte koincidenca se pikërisht ditën që Kadareja do të zbriste në Rinas, unë do të fluturoja për në Amerikë. I them për situatën e ndërlikuar, mundohem t’ia shpjegoj në telefon, ndërsa ai e zgjidhi krejt prerazi: jo. Dhe më kujtoi takimet që kishim planifikuar me lexuesit atë muaj, ndaj ta harroja Amerikën!

I shkrova ambasadës amerikane se, për arsye pune, nuk mund të vij për specializim. Jam i sigurt, mund të jetë e vetmja letër e tillë e shkruar nga një shqiptar ambasadës amerikane. Shumë vite më vonë (2025) do të shkoja në Amerikë. Dhe më kujtohet një thënie e Sami Frashërit, ku thotë pak a shumë: “Thuhet se çdo punë ka kohën e vet, por koha e vërtetë e një pune është kur kjo punë fillon!” Në janar 2024, një ditë me shi si te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndërsa ishim ngujuar brenda kështjellës “Juvenilja”, i thashë se tashmë, që kisha mbaruar edhe veprën e tij në shtatë vëllime, do të merrem me një punë të zakonshme, sepse ju s’po shkruani më. Ç’punë? u interesua seriozisht. Po ja, do të shpërndaj dhe do të shes libra nëpër Shqipëri. E pashë që u tensionua befas. E njoh mirë këtë kapërcim në biseda me të, kur nga s’e pret të vijnë rrufe. Ky është një mision i shenjtë, më tha me zë të lartë, sa të tjerët kthyen kokën nga tryeza jonë. E ndjeva atë shikimin e tij zhbirues kur të duket sikur po të rrëshqet toka nën këmbë.

Aksioni im i shpërndarjes dhe shitjes së librave përfundoi pa asnjë rezultat. Tashmë libraritë nuk donin t’u çoje libra në sasi dhe me kredi. Librarët shqiptarë në rrethe porosisin me celular një libër, dy, tre. Isha shumë mbrapa, isha kujtuar vonë. Kështu do të lindte ideja për një librari në Amerikë. Nuk më lejoi Kadareja të shkoja atëherë, sepse duhej të shkoja me libra, me sa dukej. Dhe ia premtova se do ta hapja këtë librari pikërisht në Amerikë, si i vetmi vend ku vërtet shqiptarët janë krenarë që janë shqiptarë. Kisha fatin që shkrimtari Besnik Mustafaj më sugjeroi të botoja një libër me kujtime të një shqiptaro-amerikani. Quhej Pashko R. Camaj.

Nuk e kisha dëgjuar emrin e tij. Mësova se ishte sekretari i përgjithshëm i Vatrës sonë të famshme. Kishte shkruar një libër i mrekullueshëm. Besniku i bëri parathënien dhe në vjeshtën e vitit 2024 e botuam, e promovuam së bashku me autorin në gjashtë shtete ku kishte shqiptarë. Gjatë promovimeve të librit të Pashkos në Nju-Jork, Boston, Miçigan, biseduam për hapjen e një librarie online për shqiptarët në Amerikë. Libra fizikë, jo elektronikë. Ndërkohë ideuam edhe panairin e parë të librit shqip në Amerikë, i cili u realizua me sukses vitin që kaloi (28-30 nëntor). U sollën mijëra libra nga Tirana me anije dhe avion në Nju-Jork. Me shaka i thosha Pashkos: Për herë të parë qysh nga koha e Kristofor Kolombit po eksportojmë libra nga Shqipëria! Pikërisht këta mijëra libra që erdhën për panair (që s’mund të shiteshin të gjithë, sigurisht) janë inventari i librarisë online që e ka emrin “Alblibris”.

Ja çfarë shkruhet në rubrikën “Rreth nesh” të “Alblibris”:

“Alblibris” është një librari online e krijuar posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ofruar mundësinë të blejnë libra ekskluzivisht në gjuhën shqipe, pavarësisht vendit të botimit. Librat tanë fizikë janë të depozituar në New Jersey (NJ), çka garanton përpunim efikas dhe dërgesa të sigurta brenda SHBA-së.

Emri “Alblibris” bashkon “Alb-”, që përfaqëson identitetin shqiptar dhe “libris”, nga latinishtja – libra. Ky emër pasqyron misionin tonë: të ndërtojmë një urë mes kulturës shqiptare dhe botës së librave.
Ne ofrojmë libra të rinj dhe të përzgjedhur me kujdes, me fokus të veçantë në autorë shqiptarë, botime në gjuhën shqipe dhe tituj me vlerë letrare, akademike dhe kulturore. “Alblibris” synon të jetë më shumë se një librari – një hapësirë ku libri ruan vlerën e tij si dije, kulturë dhe kujtesë.

Pikërisht në ditën e nëntëdhjetëvjetorit të lindjes së Kadaresë, ditën e mërkurë, më 28 janar 2026, në nderim të jetës dhe veprës së tij dhe si një premtim që ia kisha bërë në gjallje të tij, hapëm librarinë online “Alblibris”, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Jam i sigurt se na bekon dhe na uron nga lart.

Related posts

Dorëzohet puçisti Arben Taravari e kupton se nesër do të shkarkohet

Gjyla Halili

VLEN: Balancuesi i ngrirë është edhe një nga disfatat e BDI!

Gjyla Halili

Osmani takon Begajn dhe nënkryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj

Gjyla Halili