AKTUALE

“Ndryshim për sy e faqe” – Ish-sekretari i BDI-së Valmir Aziri “sulmon” kongresin e sotëm

Ish-sekretari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Valmir Aziri, ka reaguar publikisht pas përfundimit të Kongresit të partisë, duke hedhur kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si u shpallën dhe u prezantuan të ashtuquajturat reforma.

Në reagimin e tij, Aziri thekson se Kongresi u mbyll me “duartrokitje të organizuara”, ndërsa reforma u shpall e përfunduar pa pasur, sipas tij, një proces real analize, llogaridhënieje dhe ballafaqimi me dështimet. Ai vlerëson se anëtarët e prezantuar si “të rinj” nuk janë produkt i një procesi të hapur dhe demokratik, por vazhdimësi e një rrotacioni të brendshëm që po shitet si ndryshim.

“E reja u paketua me fjalë, por përmbajtja mbeti e vjetër”, shkruan Aziri, duke shtuar se reforma nuk u ndërtua mbi përgjegjësi politike, por mbi nevojën për ta ruajtur pushtetin brenda organizatës, duke i dhënë atij vetëm një fytyrë tjetër.
Sipas ish-sekretarit të BDI-së, ndërrimi i emrave dhe pozicioneve nuk prodhon besim te qytetarët, përkundrazi, e thellon dyshimin se bëhet fjalë për ndryshime formale dhe jo thelbësore. Ai shtron pyetjen nëse një proces i tillë mund të rikthejë besimin e humbur.

“Besimi nuk lind nga kongreset e mbyllura dhe as nga fjalori i ricikluar i reformave të shpallura”, thekson Aziri, duke nënvizuar se besimi ndërtohet vetëm përmes llogaridhënies reale, pranimit të gabimeve dhe ndryshimit të vërtetë në mënyrën e të bërit politikë.
Në përfundim, ai vlerëson se pa këto elemente, çdo reformë mbetet vetëm një shfaqje politike, çdo figurë e re vetëm një etiketë dhe çdo kongres një kapitull i radhës i së njëjtës histori të konsumuar.

Related posts

Haki Abazi në mbështetje të Frontit Europian

Gjyla Halili

BQ i LSDM-së: Filloi procedura për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Gjyla Halili

Kishte ikur nga burgu i Idrizovës, policia arreston kërçovarin

Gjyla Halili