AKTUALE

Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria sot në Gjykatën Penale duhet të vazhdojë lënda “Onkologjia 2” kundër Nino Vasev dhe Nehat Nuhi

Rasti “Onkologjia 2” për punë të pakujdesshme dhe krim financiar kundër ish-drejtorit mjekësor dhe ekonomik të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë Shkup, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, do të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Prokurorja Ana Gogovska Jakimovska, në fjalimin hyrës në seancën e mëparshme dëgjimore, tha se ish-drejtorët mjekësorë dhe ekonomikë të Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, nuk vepruan në interes të institucionit publik dhe pacientëve, por në interesin e tyre personal dhe në interes të kompanive private, dhe me veprimet e tyre ata keqpërdorën dhe minuan besimin në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe në interesin publik.

Gogovska Jakimovska, para Gjykatës, theksoi se Klinika e Onkologjisë është e specializuar për trajtimin e pacientëve më të rëndë me sëmundje malinje, ku të akuzuarit nuk paraqitën nevoja reale mjekësore dhe nuk ndoqën procedurën e prokurimit publik me pretekstin se po vepronin në interes të pacientëve, në të cilën mënyrë i kryen veprat penale.

“Prokuroria do të vërtetojë se me anë të prokurimit publik të paligjshëm të barnave, pa pëlqimin e FSSH-së dhe duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, të akuzuarit i shkaktuan dëm Buxhetit prej mbi 2,2 miliardë denarë. Duke keqpërdorur sistemin e reverseve, pa bazë ligjore, ata i kanë sjellur në huti institucionet shtetërore dhe mundësuan përfitime të paligjshme për disa kompani farmaceutike. Në këtë mënyrë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore u sjell në huti duke besuar se këto ishin detyrime ligjore”, tha Gogovska Jakimovska.

Të pandehurit Vasev dhe Nuhi në seancën e mëparshem mohuan fajësinë për krimet për të cilat akuzohen. Mbrojtja pohon se aktakuza kundër tyre është e pabazë dhe politikisht e montuar në bazë të ekspertizës ekonomike nga persona, të cilët po ashtu janë inkriminuar, duke cekur se bëhet fjalë për drejtorët paraprakë mjekësor dhe ekonomik të Klinikës, të cilët janë ndërruar nga Vasevi.

I pandehuri i parë Nino Vasev, para Gjykatës tha se nuk ndjehet fajtor, se tërë jetën, 35 vjet punon në Onkologji dhe çdoherë qëllim ka pasur të shpëtohen jetë njerëzore.

“Unë jam drejtor nga viti 2017 dhe kam trashëguar revers nga një drejtor, të cilin e kam zëvendësuar dhe i cili është nënshkrues i raportit ekspert kundër meje në këtë rast, ndërsa ekspertiza e dytë ekonomike u nënshkrua nga drejtori i dytë ekonomik, i cili u shkarkua me kërkesën time për shkak të abuzimit financiar. Në aktakuzë më janë hequr gjashtë muaj nga mandati ku mund të shihni se çfarë kam trashëguar saktësisht dhe si është ulur borxhi nga 35 milionë në 30 mijë. Dëshiroj të shoh se si kemi arritur të zgjidhim borxhet e trashëguara dhe mungesën e ilaçeve duke marrë reverse të supozuara, në mënyrë që të mund të konsiderohemi se gjoja kemi shkaktuar dëme”, deklaroi Vasev.

Nehat Nuhi, para Gjykatës tha se ndjehet i pafajshëm dhe të njëjtën do ta dëshmojë në procedurë.

“Ndjehem i pafajshëm dhe këtë do ta dëshmoj. Pafajësia ime do të dalë si nga provat materiale, ashtu edhe nga ato verbale, të cilat i dorëzojmë, para së gjithash në ekepertizën materiale ekonomike, prej së cilës të gjithëve do t’u bëhet e qartë sa lëshime ka bërë Prokuroria, se të gjitha afatet janë kaluar dhe ekspertizat e tyre janë të pasakta”, deklaroi Nuhi.

Gjykata Penale në qershor të këtij viti e miratoi aktakuzën kundër ish-drejtorëve të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, për keqpërdorime, mashtrim dhe përvetësim në shërbim nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin me gati 36 milionë euro.

Përveç kësaj, një tjetër rast, Onkologjia 1, po zhvillohet kundër Vasev dhe tre onkologëve për trajtim neglizhent të pacientëve. Vasev dhe dy të pandehurit Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë punonjës të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, mohuan fajësinë para Gjykatës, ndërsa e pandehura e dytë Meri Peshevska e pranoi fajin, pas së cilës Gjykata e ndau procedurën kundër saj dhe do të duhet të vazhdojë më 17 shtator.

Related posts

Krimineli është mbular me uniformë, tha Toshkovski për antarin e sigurimit të Mickoskit i cili u arrestua

Gjyla Halili

Zgjedhjet presidenciale – Ja çfarë thanë nga OSBE/ODIHR

Gjyla Halili

Ministrja e Arsimit, Janevska nuk ndjehej komod me gjuhën shqipe, kërkon nga Kasami që të flasë maqedonisht

Gjyla Halili