Reagim i Lidhjes Shqiptare në Botë, kundër gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni – Rumani, në Kumanovë
Lidhja Shqiptare në Botë shpreh indinjatën e thellë dhe dënimin e ashpër ndaj thirrjeve të gjuhës së urrejtjes që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni – Rumani, të zhvilluar në Kumanovë, të cilat kishin në shënjestër shqiptarët.
Është e papranueshme që në vitin 2025, në një shtet që pretendon të ecë drejt integrimit europian, në arenat sportive ende të dëgjohen thirrje diskriminuese, raciste, fashiste dhe kërcënuese ndaj Shqiptarëve. Këto akte nuk janë vetëm shprehje e urrejtjes individuale, por tregues i një problemi më të gjerë shoqëror që kërkon përgjigje të qartë dhe të vendosur nga institucionet.
Ne i bëjmë thirrje Federatës së Basketbollit të Maqedonisë së Veriut, organeve kompetente shtetërore dhe gjithë opinionit publik që:
• të identifikojnë dhe ndëshkojnë autorët e këtyre thirrjeve raciste;
• të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në të gjitha aktivitetet sportive;
• të garantojnë se hapësirat sportive do të mbeten vende të respektit dhe bashkimit, jo të urrejtjes dhe ndasive.
Nëse institucionet vendore nuk veprojnë me vendosmëri dhe transparencë, Lidhja Shqiptare në Botë do të informojë organizatat ndërkombëtare sportive, përfshirë FIBA-n, si dhe ambasadat dhe institucionet e Bashkimit Europian, për të kërkuar ndërhyrje dhe monitorim të situatës.
Lidhja Shqiptare në Botë do të ndjekë me vëmendje hapat që do të ndërmerren dhe nuk do të heshtë përballë çdo gjuhe apo veprimi që cenon dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Lidhja Shqiptare në Botë – Kuvendi për Maqedoninë e Veriut