Sot e diel, më datë 11.05.2025, në Xhaminë e Re të fshatit Kamjan, u organizua një manifestim solemn me rastin e përfundimit të leximit të plotë të Kur’anit Fisnik – hatme, nga nxënësit e mektebit të këtij fshati, nën udhëheqjen e mualimit, Arsim ef. Iseni.
Në këtë manifestim, krahas prindërve, familjarëve dhe dashamirëve të fjalës së Zotit, i pranishëm ishte edhe Myftiu i Myftinisë së Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili me operativën e Myftinisë, drejtori i sektorit për Diasporë në BFI, Mr. Mafiz ef. Rustemi, sekretari i FSHI Mr. Neim ef. Misimi, profesorë dhe hoxhallarë të rrethit.
Në fjalimin e tij, Myftiu përgëzoi nxënësit për arritjen dhe përkushtimin e treguar në rrugën e dijes islame, duke e cilësuar hatmen si një ndër veprat më të dashura për Allahun. Ai theksoi gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të mualimit në edukimin dhe udhëzimin e brezit të ri, si dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi i xhematit dhe familjes për suksesin e fëmijëve.
Pas programit të përgatitur me përkushtim, drejtori i sektorit për diasporë në BFI, Mr. Mafiz ef. Rustemi e bëri duanë e hatmes, duke i lutur Allahut për pranimin e përpjekjeve dhe dijes së fituar nga nxënësit. Në vazhdim, u bë shpërndarja e diplomave për nxënësit që përfunduan hatmen, si dhe u shpërnda një mirënjohje dhe falënderimi për mualimin Arsim ef. Iseni për angazhimin e tij të sinqertë dhe të palodhur. Programin e moderoi sekretari i Myftinisë, Semir ef. Fazliji.
Zoti i bekoftë këta të rinj me dituri të dobishme dhe vepra të mira, dhe mualimin e shpërbleftë me të mirat e Tij në dynja e në ahiret.
Një falënderim i veçantë i shkon edhe imamit, muezinit, këshillit të xhamisë dhe të gjithë kontribuuesve që ndihmuan në realizimin e këtij manifestimi të mrekullueshëm.