Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se do të ketë drejtësi dhe përgjegjësi për të gjitha tragjeditë që ka ndodhur në vend, që përmendi Koçanin, ‘Besa transin’, Spitalin e Tetovës dhe Llaskarcën, shkruan TV21. Mexhiti tha se mafia ka kontrolluar shtetin, por nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe nuk do të lejojë që drejtësia të humbet e të devalvohet.
“Drejtësi do të ketë!
Koçani, ‘Besa trans’, Spitali modular në Tetovë, Llaskarca – shumë tragjedi të rënda me shumë viktima për një vend të vogël si Maqedonia e veriut! Shumë dhimbje e familje të mbështjella në zi e vajtim, e shumë pak drejtësi për viktimat!
Teksa lutemi për të mbijetuarit dhe përgatitemi për t’ua dhënë lamtumirën atyre që u shuan tragjikisht më 16 mars, si Qeveri zotohemi se leksioni i hidhur i Koçanit është mësuar, se mesazhi është pranuar: shteti nuk do të qëndrojë më duarkryq dhe nuk do të lejojë që drejtësia të humbet e të devalvohet nëpër hilet institucionale të ndërtuara për të mbrojtur të paprekshmit!
Lufta jonë për një Maqedoni më të mirë do të ketë kuptim vetëm atëherë kur ata ndaj të cilëve sistemi ka qene i padrejtë do të ndjejnë se drejtësia, megjithatë, nuk është nocion i kapur nga mafia që kontrollon shtetin, siç për fat të keq ka qenë rasti për vite me rradhë në të shkuarën, dhe se thirrjet e tyre për drejtësi do të hasin në përgjigje dhe reagim.
Koçani është ndërgjegja jonë që thërret për veprim. Koçani është dhimbja jonë që kërkon reagim. Koçani është katarsisi i sistemit të qelbur e korrupsionit endemik që ka lëshuar rrënjët thellë nëpër institucione dhe po rrënon jetët e njerëzve.