Ditët e Miqësisë së Gazetarisë të mbajtura në Shkup, tubuan me një vend mbi 100 gazetarë nga rajoni dhe vendi. Tema këtë vit ishte më se relevante: “Dezinformimi – një rrezik në shtim për vendet e Ballkanit Perëndimor”, ku diskutua gjithashtu edhe sfida që përballen institucionet shtetërore përballë dezinformimit.
Në këtë kontekst, theksova se përpjekjet për të përballuar lajmet e rreme dhe manipulimin e informacionit janë më të rëndësishme se kurrë. Pavarësisht përparimeve, përballja me këto sfida mbetet një detyrë që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes gazetarëve, institucioneve dhe qytetarëve.
Ndërkaq, përpjekja jonë për të luftuar dezinformimin duhet të jetë permanente. Në të njëjtën kohë, ajo duhet qenë e ndërtuar me shumë kujdes që të mos kthehet nga rregullimi në kontroll, nga liria në censurë! Për ta bërë këtë, neve së pari na nevojitet forcimi i gazetarisë profesionale dhe lirisë mediatike, në mënyrë që informacioni të jetë i verifikuar dhe prej këtu të jetë i besueshëm.
Ne duhet që në vazhdimësi të edukojmë mediatikisht qytetarët – në këtë drejtim edhe katedrat tona të gazetarisë nëpër fakultete mund të ndihmojnë duke realizuar projekte e fushata edukative me një mbulim e përhapje të gjerë në popullsi. Ne na nevojiten korniza të qarta dhe të harmonizuara edhe me legjislacionin evropian për të rregulluar platformat digjitale – mediumin i cili është tepër poroz dhe pothuajse aspak imun kur vjen fjala te publikimi dhe përhapja masive e dezinformatave. Natyrisht, në këto përpjekje, nismat sikur Ditët e miqësisë së gazetarisë, bashkëpunimi rajonal por edhe bashkëpunimi më i madh mes institucioneve dhe mediave janë poashtu të një rëndësie esenciale.
Detyra jonë si klasë politike është të mundohemi që të gjejmë zgjidhje të pranueshme. Shpresoj që t’ia dalim.
Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre dhe po ashtu organizatorët Unionin e Gazetarëve Shqiptarë dhe të gjithë gazetarët për mundësinë për të diskutuar tema kaq të rëndësishme për të ardhmen e medias dhe shoqërisë tonë.