AKTUALE

Kujtim emocional për Betejën e Koshares nga Frashër Oseku – veterani dhe invalidi i UÇK-së që në trup ende bart copa granatash

Njëzet e katër vjet pas luftës, liderët institucionalë dhe ish- guerilët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kujtojnë Betejën e Koshares, si njërën nga luftërat më të ashpra dhe më të heroike që ka zhvilluar UÇK kundrejt forcave të motorizuara serbe në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Për këtë ditë në kujtim të betejës më të ashpër të luftimeve ka shkruar edhe njëri nga protagonistët e saj.

Veterani dhe invalidi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Frashër Oseku thotë se edhe këtë 24 vjetor të thyerjes së kufirit në Koshare, si çdo vit e parandien afrimin e kësaj date, si në shpirt e në trup, në indet “ku kam ende cifla granatash, e në eshtrat e cakërruara”.

“Sot përkulem me nderim para kujtimit të 112 shokëve e shoqeve që ranë të betuar për të bashkuar Shqipërinë. Ata patën vdekjen më të mirë në tërë fisin shqiptar. I varrosëm lart në maje malesh, prej ku mund të sodisin gjithë mëmëdheun. Gjer te varri i bartëm mbi supet tona, mbështjellur në krahë të dhembsur të shkabës dykrenare. Bij e bija më të mirë ajo s’kish varrosur kurrë”, ka shkruar Oseku.

Edhe pse ende me plagë në trup nga ajo betejë, Oseku thotë se ndihet i padenjë kur kujton sakrificën e të rënëve.

“Dyfish i padenjë, kur shikoj se si disa sot fshehin pas derës idealin, e flamurin e tyre e tonin. Por më mban një besim i patundur, se flijimi i tyre nuk qe i kotë. E ndiej në shpirt, atë thirrjen egërshane të amanetit të tyre. Ndonëse shumëkush do të donte ndryshe, me vitet kjo thirrje sa vjen e forcohet. E ndiej në trup, në indet ku kam plagët, e në eshtrat e mia të cakërruara. E ndiej se po  afrohet – bashkimi i Shqipërisë”, ka shkruar ai.

Oseku uron ta shoh sa është ende gjallë këtë.

“Se dua ta shpie edhe një herë atje lart, këtë shpirt e këtë trup të thyer, atje në Koshare, e te Rrasa e Zogut. E të ulem në bar te ta, e t’u pëshpëris te kokat: shoku im, shoqja ime, tash njëmend u krye. Deri atë ditë, lavdi emrave të tyre! Lavdi emrit UÇK!”

Frashër Oseku është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plagosur rëndë në betejën e Koshares. Ai  ishte edhe luftëtar në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila bëri luftë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Related posts

Të entjen Kuvendi mban dy seanca, në rend të ditës shqyrtimi i Ligjit për skemat pensionale

admin

Lëvizja Anti-bixhoz: Do të publikojmë fotografitë e deputetëve që nuk e votojnë Ligjin për lojërat e fatit!

Gjyla Halili

Dashuria për Atëdheun dhe këngën po trashëgohet në breza, nipi i këngëtarit Lindon Camaj, Ilir Camaj sjell këngën ” Këtu si nip më pret Malësia

Gjyla Halili

Leave a Comment