AKTUALE

Ambasadorja Ageler në Dibër, Mela: Në Amerikë ka edhe një Dibër tjetër!

E informova ambasadoren se në SHBA jetojnë mbi 18 mijë dibranë, të organizuar në disa shoqata. Komuna e Dibrës ka bashkëpunim shumë të mirë me këto shoqata”, tha Mela, duke shtuar me krenari se “faktikisht, në Amerikë ka edhe një Dibër tjetër”

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ka pritur në një takim zyrtar ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler. Vizita shënon gjithashtu takimin e parë zyrtar të një ambasadoreje në mandatin e sapo nisur të kryetarit Mela. Sipas njoftimit të kabinetit komunal, vizita e ambasadores përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Komunës së Dibrës dhe institucioneve amerikane që veprojnë në vend.

Gjatë takimit, kryetari Mela prezantoi projektet prioritare të komunës, duke vënë theksin në zhvillimin ekonomik lokal, investimet infrastrukturore, promovimin e turizmit dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Ai theksoi se mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për proceset zhvillimore dhe potencoi potencialin e rëndësishëm që Dibra ofron në fusha të ndryshme. Ambasadorja Ageler ndërkohë vlerësoi vizionin e komunës dhe përkushtimin për avancimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ajo shprehu gatishmërinë e Ambasadës së SHBA-së për të mbështetur iniciativa që forcojnë institucionet lokale dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm.

Takimi u përmbyll me zotimin e të dyja palëve për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të eksploruar mundësi të reja partneriteti në fusha me interes të përbashkët.

Kryetari i Dibrës, Fisnik Mela, në një deklaratë për gazetën KOHA, bëri të ditur se gjatë bisedës me ambasadoren Aggeler, u trajtua edhe roli i diasporës dibrane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “E informova ambasadoren se në SHBA jetojnë mbi 18 mijë dibranë, të organizuar në disa shoqata. Komuna e Dibrës ka bashkëpunim shumë të mirë me këto shoqata”, tha Mela, duke shtuar me krenari se “faktikisht, në Amerikë ka edhe një Dibër tjetër”. Vizita e ambasadores Ageler shihet si sinjal i rëndësishëm i thellimit të partneritetit mes Dibrës dhe institucioneve amerikane, veçanërisht në fushat e zhvillimit lokal, turizmit dhe përfshirjes së diasporës në projekte të përbashkëta./Koha.mk

Related posts

Qindra të rinj “rrezikojnë” të drejtën e votës, kjo është arsyeja

Gjyla Halili

Adelina Ismaili bën thirrje që të lejohet armatimi i femrave

Gjyla Halili

Snopçe: Pa ne s’mund të funksionojë Qeveria, duhet të ketë zgjedhje të parakohshme!

Gjyla Halili