AKTUALE

VLEN ndryshoi fjalët më shpesh se “çorapat” për ndryshimet kushtetuese në RMV

Ministri për Çështje Evropiane në RMV, Orhan Murtezani me gjasë ka harruar se për çfarë është zotuar dy muaj e gjysmë më parë. Ministri Murtezani nga foltorja e Kuvendit sot kategorikisht ka mohuar faktin se VLEN ka dhënë afat gjashtë mujor për ndryshimet kushtetuese, raporton Portalb.mk.

“E di që së paku edhe në gjuhën maqedonase kam dhjetëra deklarata dhe askund nuk kam thënë që në fund të vitit, nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, ne do të dalim nga qeveria. Për arsye se këtë qeveri kur e kemi komponuar, nuk e kemi komponuar ne me një këmbë brenda, e me një këmbë jashtë, duke kërcënuar partnerin tonë të koalicionit se nëse bëhet kjo ose nëse bëhet ajo, ne do ta lëshojmë qeverinë, kjo është pjesë e një të kaluare, që tash është pas nesh”, tha mes tjerash Murtezani, duke u përgjigjur në pyetje deputetësh në kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Është fakt se ministri Murtezani nuk është kërcënuar për dalje nga qeveria duke thënë këto fjalë precize, por më 8 dhjetor të këtij viti, është zotuar se VLEN ka dhënë afat gjashtë mujor për ndryshime kushtetuese.

“Gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë së re, ne si koalicion VLEN kemi dhënë një afat gjashtë mujor, brenda të cilit qeveria duhet të dalë me propozim konkret për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese. Aktualisht jemi në muajin e katërt, dhe pa skaduar ky afat nuk kemi pse e komentojmë. Kur të afrohemi nga fundi, atëherë do ta shohim se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm”, kishte theksuar Murtezani.

Sot, kur afati gjashtë mujorësh po skadon, VLEN me arsyetime të reja. Murtezani me fjalorin e kryeministrit Hristijan Mickovski, tha se ndryshimet kushtetuese do të jenë para deputetëve në Kuvend, në momentin që do të sigurohen nga Bullgaria që nuk do të ketë kushte të reja.

“Në këtë drejtim, nuk është me rëndësi koha sa muaj do të marrë, por në momentin që ne do të jemi të sigurt që zgjidhja e ardhshme nuk do të përfundojë me një veto tjetër potenciale nga Bullgaria, atëherë çështja e ndryshimeve kushtetuese do të vijë para jush në Parlament, sepse atëherë mbetet vetëm çështje teknike për të siguruar 80 deputetë. Në mendimin tim personal, nuk është me rëndësi afati a do të zhvendoset i koalicionit VLEN ose jo, kjo është çështje që ju mbetet kryetarëve, për mua me rëndësi personale, si udhëheqës i resorit të eurointegrimeve është që e shoh me sytë e mi dhe jam prezent në të gjitha këto takime, për të gjetur një zgjidhje, zgjidhje që do të garantojë përfundimin e procesit”, tha Murtezani.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Related posts

Haradinaj: Kërcënimet ndaj policëve në veri, përpjekje për të sabotuar qetësimin e situatës

admin

Bekteshi: Pritet ulje e çmimeve e këtyre produkteve

admin

BDI Kërkon Hetim Ndërkombëtar për Korrupsionin: “Nëse keni guxim ftoni ndërkombëtarët menjëherë”

Gjyla Halili