OPINIONE

Selver Xhemaili: Dëmtimi i vakëfit

DËMTIMI I VAKËFIT (4)

Duke marrë parasysh përkufizimin dhe kuptimin e vakëfit vetëkuptohet se sa e dëmshme dhe sa e rrezikshme është nëpërkëmbja, dëmtimi, shkatërrimi apo uzurpimi i një prone që statusi i saj është vakëf. Pra, në qoftë se të prekësh apo të dëmtosh pronën e një individi është mëkat, është haram, dhe është e gjykueshme edhe me normat e përbotshme edhe tërheq dënimin në botën e ardhshme/ahiret, mundë të paramendojmë fare lehtë se sa mëkat i madh dhe sa e rrezikshme është të uzurposh, tjetërsosh dhe dëmtosh vakëfin, e cila është pronë e gjithë shoqërisë. Ndryshe thënë dëmtimi i vakëfit do të thotë dëmtimi i gjithë shoqërisë. Padrejtësia/zullumi ndaj vakëfit do të thotë zullum ndaj gjithë shoqërisë. Kjo është kështu ngase prona e lënë vakëf është e dedikuar t’i shërbejë gjithë shoqërisë edhe atë në të gjitha kohërat.
Prandaj tjetërsimi apo uzurpimi i një prone të vakëfit do të thotë ndërprerje e bamirësisë dhe mëshirës ndaj shoqërisë, dhe kjo konsiderohet ndër mëkatet e mëdha.
Prandaj është e domosdoshme të tregohet ndjeshmëri e lartë në çështjet e vakëfit dhe respekt i veçantë për këtë amanet hyjnor. Gjatë gjithë historisë është qëndruar me rreptësi mbi këtë çështje dhe, kur ky amanet është shkelur fundi i asaj shoqërie ose i shkelësve të amanetit ka qenë i dhimbshëm. Për shembull deveja e dhënë Pejgamberit Salih a.s. s’ka qenë pronë e askujt, por vetëm një lloj malli vakëf i ofruar njerëzve nëpërmjet Salihut a.s. që të përfitojnë prej saj. Pronari i saj ishte Zoti i madhërishëm. Por fisi i tërbuar e vrau devenë duke e shkelur atë amanet dhe, si përfundim, u shkatërrua.
Përcillet një dialog i trumcakut me Sulejmanin a.s.. Siç dihet ndër mrekullitë/muxhizet e Sulejmanit a.s. ishte edhe njohja e gjuhëve të shpezëve. Një ditë, Sulejmani a.s. e pati qortuar rëndë trumcakun, prandaj edhe trumcaku e pati kërcënuar: “Ta shkatërroj mbretërimin!”
Sulejmani a.s., duke e nënvleftësuar, e pati pyetur:
“E ku ke ti fuqi për të ma shkatërruar mua mbretërimin?”
Kurse trumcaku i vogël i qe përgjigjur kështu: “I lag krahët dhe pastaj i fërkoj me tokën e një vakëfi dhe pastaj dheun e ngjitur pas krahëve e lëshoj mbi çatinë e pallatit tënd. Kështu, dheu i vakëfit mjafton për të ta shkatërruar pallatin tënd!…”
Nga ky rrëfim nxjerrim si mësim se sa me ndjeshmëri dhe kujdes duhet sjellë ndaj mallit të vakëfit. (Topbash 17-18)
Meqë malli i vakëfit është pronë e gjithë shoqërisë si zakonisht në dokumentacionet e vakëfeve gjegjësisht në krye të “vakfijeve” apo “vakëfnameve” (akt-dhurimeve) shkruhen edhe lutje edhe mallkime.
Lutja u kushtohet atyre që nuk e lënë mangët shërbimin për vakëfin, kurse mallkimi u kushtohet atyre që i shkelin kushtet e vakëfit dhe bëhen pengesë për shërbimin dhe plotësimin e qëllimit të vakëfit. Si mallkim, përdoren, përgjithësisht këto fjali: “Mbi atë që e prish ose i ndryshon kushtet e këtij vakëfi, i rëndë është mallkimi i Allahut xh.sh., i pejgamberëve, i melaikeve, i njerëzve dhe i të gjitha krijesave!…”
Mu për këtë çdonjëri që ka dorë në vakëfin e lënë në këto trojet tona, duhet larguar nga ai dhe duhet lënë që Bashkësia Fetare Islame e RMV-ës, të menaxhojë me të për të mirën e shoqërisë muslimane në përgjithësi në këtë nënqiell.

Related posts

Ramiz Lladrovci: PDK në Drenas gati për unitet qytetar drejt fitores, nuk kemi kohë për të humbur

Gjyla Halili

Berisha, Rama, Meta, në pritje të nekrologjisë politike!

Gjyla Halili

SOT 580 VITE NGA BESËLIDHJA E LËZHËS

Gjyla Halili