AKTUALE

Pas këshillës së Mickoskit, VLEN shmang protestën për mbrojtjen e çlirimtarëve

Koalicioni qeveritar VMRO-VLEN nuk e mbështetet protestën e Veteranëve të UÇK-së që do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup në të cilën do të ngritët zëri për padrejtësitë ndaj ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Arsyeja, sipas tyre është se Ali Ahmeti po tenton të përfitojë nga kjo protestë.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në brifing me gazetarët tha se ky hap i Ahmetit është i gabuar dhe për këtë në të ardhmen do ta ketë shumë rëndë të gjejë partner koalicioni. Mickoski shkoi më tej, duke theksuar se është i bindur që sikur ai, edhe VLEN nuk do ta mbështetë.

Koalicioni VLEN nëpërmjet një komunikate drejton gishtin nga Ali Ahmeti se po tenton të përfitojë politikisht në kurriz të kësaj proteste, duke manipuluar ndjenjat e shqiptarëve. Sipas tyre, proceset në Hagë janë çështje serioze që kërkojnë diplomaci dhe veprime institucionale të cilat Kosoava tashmë po i ndërmerr.

“Prandaj kemi përgjegjësi që këto tema të trajtohen me maturi, e jo me improvizime të një partie që është zënë ngushtë dhe sa herë gjendet në krizë manipulon ndjenjat e shqiptarëve. VLEN respekton çdo protestë që lind natyrshëm nga shqiptarët. Ajo që kundërshtojmë është përdorimi i emrit të UÇK-së për të mbuluar dështimet, aferat dhe frikën nga zhdukja politike”, thonë nga VLEN.

Lidhur me protestën, sot ka reaguar edhe personalisht Ahmeti, i cili thekson se do të dalin në mbështetje dhe mbrojtje të së vërtetës objektive për krerët e UÇK-së në Hagë.

Megjithatë, protesta është caktuar në Shkup pas një vizite të Ahmetit në hapësirat e OVL-UÇK-së më 19 nëntor, ku kryetari i kësaj shoqate Hysni Gucati i ndau mirënjohje Ahmetit.

Deklaratat e Mickoskit nga OVL-UÇK sot i quajtën përçarëse, ndërsa theksuan që qëllimi i tyre nuk është që të ndërhyjnë në politikat e tyre të brendshme.

“Deklarata që nuk tregojnë unitet të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por më shumë përçarje, prandaj për neve kanë qenë të papranueshme sepse duke pasur parasysh faktin se këto protesta që i bëjmë, i kemi bërë edhe nëpër vende tjera dhe asnjëherë nuk kemi qëllim me ndiku në politikat e tyre të brendshme atje”, tha Gazmend Syla, Nënkryetar i OVL-UÇK.

Lidhur me protestën gjatë ditës kanë reaguar edhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të cilët i ftojnë partitë të mos e keqpërdorin protestën për përfitime politike, pasi qëllimi i saj është drejtësia dhe dinjiteti, dhe jo instrumentalizimi partiak.

Ahmeti: Më 13 dhjetor Shkupi do të jetë skena e radhës ku qytetarët do të kërkojnë drejtësi për luftëtarët e UÇK-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një reagim të fortë publik tha se më 13 dhjetor Shkupi do të jetë skena e radhës ku qytetarët do të kërkojnë drejtësi për luftëtarët e UÇK-së. Ai paralajmëroi protestë në Sheshin “Skënderbeu”, duke theksuar se zëri i shqiptarëve nuk do të shuhet.

“Sheshi ‘Skënderbeu’ në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë,” deklaroi Ahmeti.

Ai rikujtoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e mbështetur nga demokracitë perëndimore, duke akuzuar Serbinë dhe Rusinë për montime politike që synojnë të dëmtojnë figurën e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia,” u shpreh ai.

Ahmeti theksoi se qëndrimi i tij është i njëjtë në Prishtinë, Tiranë dhe tani në Shkup.

“Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë,” theksoi ai, duke ftuar qytetarët të dalin masivisht në protestë.

Thirrja e tij është e qartë:

“Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!

Liria nuk gjykohet, liria mbrohet!

Lavdi UÇK-së!”

Fatmir Sopi nga OVL e UÇK-së vlerëson se autoritet maqedonase nuk kanë ndonjë arsye që mos të lejojnë që protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë të mbahet në Shkup.

Sopi, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vullnet për mbajtjen e kësaj proteste teksa shtoi se kanë edhe shumë bashkëluftëtarë atje.

“Ne jemi të bindur se protesta do të ndodhë se nuk ka asnjë arsye që autoritetet maqedonase të mos lejojnë mbajtjen e saj pasi ajo do të jetë një protestë paqësore ku do të shprehet mllefi ndaj padrejtësive në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne konsiderojmë që përderisa nuk kemi pasur pengesa në Prishtinë, Hagë, Strasburg e Tiranë nuk ka asnjë arsye që të pengohemi që të kemi një protestë të tillë në Shkup kur dihet se kemi shumë bashkëluftëtarë atje dhe kur dihet se shqiptarët janë pjesë përbërëse e popullsisë e qeverisjes atje dhe kanë vullnet për mbajtjen e kësaj proteste”, tha Sopi.

“Ne me dhunë nuk mund të organizojmë askund protestë, kemi paraqitë kërkesën në mënyrë zyrtare dhe presim që kjo të mos has në ndonjë pengesë”, u shpreh Sopi.

Kujtojmë se OVL e UÇK-së ka njoftuar të premten se protesta e radhës në përkrahje të çlirimtarëve, do të mbahet më 13 dhjetor sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Gazeta Flaka

Related posts

15 VJET ME SHUMË PUNË, SAKRIFICË DHE DASHURI PËR NJERËZIT!

Gjyla Halili

Mot me diell me temperatura deri 25 gradë

Gjyla Halili

Regjim i posaçëm i komunikacionit në Shkup për Ditën e Ujit të Bekuar

Gjyla Halili