AKTUALE

U FESTUA NË NEW YORK 113 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË


Sokol Paja

New York, 13 Prill 2024- Shoqata “Malësia e Madhe” bashkoi shqiptarët e Amerikës në festën përkujtimore të kryengritjes së Malësisë së vitit 1911. Një manifestim patriotik madhështor në përkujtim të një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është ngjarje e një rëndësie specifike pasi beteja e malësorëve ishte për interesa të përgjithshme shqiptare, mblodhi krerë dhe luftëtarë nga vise të ndryshme shqiptare dhe suksesi i ngritjes së flamurit në Deçiq është arritje historike e kryengritjes së vitit 1911.
Mbrëmja festive nën prezantimin e Diana Ivezaj Cacaj,
e udhëhequr nga Lek Dedvukaj, Ermina Bushi Lleshaj, dhe ekipi muzikor, filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himnit kombëtar shqiptar kënduar nga Engjëll Junçaj e Gjystina Bojaj. Pasi u mbajt 1 minut heshtje për dëshmorët dhe heronjtë e kombit, kryetari i Shoqatës Malësia e Madhe z.Senad Lulanaj në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë  ishte vepër gjigande patriotike që u la me gjakun e malësorëve. Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në lutjen e darkës u ndal te trimëria dhe pamposhtmëria e malësorëve kundër perandorisë otomane dhe vepra thelbësore e Dedë Gjo’ Lulit dhe kryengritjes në historinë tonë kombëtare shqiptare. Prof.Elena Kocaqi si folësja kryesore në aktivitetin patriotik theksoi se kryengritja e Malësisë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të popullit shqiptar. Ajo shpjegoi etapat e rrugëtimit historik të kryengritjes, pjesëmarrësit,  organizimin, etapat e luftimeve dhe rezultatet e saj: Një arritje e kryengritësve ishte se kërkuan njohjen e kombësisë shqiptare, gjuhës shqipe dhe lëvrimin e saj kudo ku jetonin shqiptarë, u kërkua autonomi dhe guvernator shqiptar, shqiptarët të përfaqësohen me deputetë në parlamentin osman. Kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë” në Michigan z.Agron Dedivanaj në fjalën e tij solli në vëmendje rëndësinë e kryengritjes së Malësisë në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nosh Rroku Camaj recitoi para të gjithëve një baladë të gjatë kushtuar Ded Gjo’Lulit, Ismail Qemalit e trimave malësorë të kryengritjes së Malësisë. Organizata më e vjetër patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës Federata Pan-Shqiptare Vatra përfaqësohej nga sekretari Dr. Pashko Camaj i cili përshëndeti aktivitetin dhe diskutoi rreth krenarisë kombëtare dhe historisë identitare të shqiptarëve që lidhen edhe me kryengritjen e lavdishme të Malësisë.
Kryengritja e vitit 1911 arriti të bashkojë shqiptarët, kryesisht të vilajetit të Shkodrës, pati sukses historik  dhe ktheu vëmendjen e Stambollit ndaj kërkesave të shqiptarëve duke iu dhënë përgjigje me shkrim dhe duke iu plotësuar atyre disa prej pikave të marrëveshjes. Darka festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të shquar të organizatave e shoqatave patriotike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shoqata Malësia e Madhe në New York është një ndër organizatat patriotike më serioze dhe dinjitoze në diasporën shqiptare të Amerikës, model atdhedashurie e shqiptarie për tre dekada me radhë.

Related posts

Aziri: VLEN i quan hajdutë votuesit e tyre duke i poshtëruar ata dhe një elektorat të tërë

Gjyla Halili

Siljanovska Davkova: Presidenti duhet të sillet në mënyrë jopartiake

Gjyla Halili

Senad Lulani: Gëzuar ditën e komunës së Tuzit

Gjyla Halili