AKTUALE

Ahmeti: Kosova ka arritur deri këtu në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti deklaron se Kosova duhet të veprojë në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Sipas tij, shtetet në vazhdimësi janë ndërtuar me aleanca, për çka konsideron se të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe institucionet vendore. Teksa flet për vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit dhe ndikimin në marrëdhëniet me ShBA-të, Ahmeti vlerëson se miqësitë duhet të zgjerohen e jo të ketë kundërshtime në këshillat e komunitetit ndërkombëtar.

Kryetari i BDI-së nga Maqedonia e Veriut, thekson se Kosova duhet të vazhdojë komunikimin me Uashingtonin dhe Brukselin.

“Kosova ka autoritetet e veta, Kosova ka subjektivitet edhe ndërkombëtar. Por, Kosova ka arritur deri këtu në komunikim, bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Prandaj ky komunikim duhet të jetë në vazhdimësi, sepse historikisht shtetet janë ndërtuar me aleanca, shtetet janë ndërtuar me miq dhe ne akoma kemi nevojë aleancat t’i ruajmë dhe t’i forcojmë. Ne akoma kemi nevojë për miq dhe miqësitë t’i zgjerojmë dhe jo të izolohemi dhe të bijmë në kundërshtim me komunikimin, bashkëpunimin dhe me kërkesat, këshillat e komunitetit ndërkombëtar”, deklaron Ahmeti për KosovaPress.

Teksa komenton situatën aktuale në Kosovë në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ali Ahmeti konsideron se shteti ynë vit pas viti duhet të shënojë përparim.

“Kosova vit pas viti duhet të shënojë përparim, përparim në zhvillim ekonomik, përparim në politikat e jashtme, përparim në sundimin e ligjit në vend. Sigurisht duke sunduar ligji, lehtësisht apo i lehtësohet rruga krimit dhe korrupsionit për ta luftuar. Kështu që jo vetëm Kosova por i tërë Ballkani Perëndimor ka vështirësitë e veta në avancimin e demokracisë, në sundimin e ligjit për këtë arsye ne si shtete të Ballkanit Perëndimor, kemi detyra shtëpie nëse duam të jemi pjesë e Evropës duhet të instalojmë standarde të mirëfillta në drejtim të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, përfundon ai.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha të martën se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

Një ditë më pas, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova nuk ka partner, aleat e as mik më të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, dje ambasadori amerikan, Jeff Hovenier deklaroi se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës. /Kosovapress

Related posts

Qeveria ndërpreu marrëveshjen për fabrikën e veturave elektrike në Tetovë

Gjyla Halili

Lloga: Aleanca për Shqiptarët të garojë e vetme në zgjedhje

Gjyla Halili

Shefi i BE-së, Szunyog: Masat ndaj Kosovës janë të përkohshme, por duhet angazhim konstruktiv për të depërshkallëzuar situatën në veri

admin