Takime të frytshme për avancimin e arsimit cilësor
Sot, selinë e Organizatës Humanitare „El Hilal“ e vizitoi një delegacion i Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve (IUC), me seli në Ankara të Republikës së Turqisë, i cili ndodhet në vend në kuadër të pjesëmarrjes në një konferencë shkencore.
Delegacioni, i përbërë nga dhjetë anëtarë dhe i kryesuar nga Prof. Dr. Orhan Hikmet Azizoglu, kryetar i Këshillit (IUC), përfshinte rektorë të universiteteve të ndryshme nga Lindja e Afërt, Turqia dhe Evropa Juglindore.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit akademik, me theks të veçantë në ngritjen e cilësisë së arsimit për gjeneratat e reja, veçanërisht për grupet synuese të „El Hilalit“. Në këtë kontekst, vëmendje iu kushtua edhe mundësive për shkëmbimin e bursistëve të „El Hilalit“ me universitetet e vendeve anëtare të Këshillit, si dhe pjesëmarrjes së tyre në takime dhe veprimtari të ndryshme.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni, së bashku me aktivistët e „El Hilalit“ nga Tetova, vizitoi edhe këtë qytet. Gjatë qëndrimit atje, së bashku me përfaqësues të Muftinise dhe të Komunës së Tetovës, delegacioni vizitoi dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore: Xhaminë e Pashës dhe Teqenë Arabati Baba.


