Albin Kurti është shprehur se në Shkup është ndjerë i sigurt, edhe pse ka parë shumë forca policie.
Logjikshëm është të nxirret konkluzioni se:
1. Ka pasur incidicie për ndonjë rrezik dhe në këmbim informatash midis shërbimeve të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe 2. janë marrë masa parandaluese nga shërbimet e inteligjencës së Maqedonisë dhe policia.
Dhe Kurti është ndjerë i sigurt pikërisht në Maqedoni, e jo i rrezikuar pikërisht falë këtyre masave!
Vetë Kurti ka theksuar se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.
“Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.
Nga ka ardhur rreziku, flet lajmi që po citojmë mëtutje:
“Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.”
Pra, askund nuk ka se Kurtin e ka rrezikuar dikush nga Maqedonia. Por çka t’u bëjmë disa individëve të papërgjegjeshëm, papërgjegjësinë e të cilëve pastaj e transmetojnë edhe mediat tona, të cilat priren të shpikin gjëra të paqena. Ja një titull nga një portal yni që doemos do t’i ketë munguar kujdesi që në këso temash, është më se e nevojshme, kur e ka dhënë këtë pohim të një autori që jeton në Perëndim:
“Në atentatin e Kurtit në Shkup mund të jetë i përfshirë edhe blloku shqipfolës i pushtetit”!
Fjalia është kushtore, me “mundet”, që do të thotë se nuk është e sigurt. Për këtë pohim nuk duhet fjali kushtore, por njohuri të sigurta. Gjersa vetë shërbimet kosovare e locojnë rrezikun nga Beogradi, ky autor i cituar, që jeton në perëndim dhe besojmë edhe i shkëputur nga realiteti, ka nevojë ta hedhë një si “lopa bajgën”, e pastaj le të lodhin mendjen lexuesit, ose më saktë, le ta marrin dyshimin e shpikur të tij, si të vërtetë! Dhe të hidhet si akuzë ndaj atyre që s’kanë as erë as shi në këtë punë.
E kuptojmë se ka njerëz që ndonjë subjekt diku në shqiptari nuk i pëlqen, por nuk mund të shpifësh për ta në mënyrë të palogjikshme! Si paska ndodhë që të jetë përfshirë “blloku shqipfolës” i cili është në pushtet, kurse pikërisht ai pushtet(me “shqipfolësit” brenda), përmes shërbimeve të veta ka marrë masa sigurie që kryeministri i Kosovës të mos ndjejë kurrfarë rreziku?!