Një tinejxher nga Oklahoma besohet se është njeriu i parë që ka arritur ta përfundojë videolojën klasike të Nintendos, “Tetris”, 34 vjet pasi kjo lojë u publikua, raporton BBC, përcjell Dukagjini.
Willis Gibson ka postuar një video në kanalin e tij në “YouTube” të momentit kur ai arrin nivelin e 157-të, dhe bën që ekrani i lojës “të bllokohet”.
13-vjeçari u shtri në karrige – duke thënë: “Do të më bie të fikët, nuk po i ndiej gishtërinjtë.
Iu deshën 38 minuta për ta mposhtur lojën.
E jashtëzakonshme, pasi deri para disa vjetëve, lojtarët besonin se është e mundur të arrihet vetëm deri në nivelin e 29-të.
Videoloja e famshme – ku lojtarët rreshtojnë blloqet që bien në pozita të caktuara – ishte krijuar në vitin 1984 nga inxhinieri sovjet Alexey Pajitnov, dhe bëri popullaritet të madh kur debutoi në konzolën e Nintendos, “NES” në vitin 1989.
Sot, loja mund të luhet në konzola të ndryshme dhe platforma, përfshirë edhe në telefona celularë.
Në vitin 2010, garuesi profesionist Thor Aackerlund arriti të shkonte deri në nivelin e 30-të duke përdorur teknikën e quajtur “hypertapping”, ku lojtari dridh gishtërinjtë në mënyrë që lëviz kontrolluesin e lojës më shpejt sesa shpejtësia e lojës.
Kështu që lojtarët tjerë nisën të përdornin këtë teknikë.
Por, deri muajin e kaluar, vetëm Inteligjenca Artificiale kishte qenë në gjendje të arrinte te niveli ku “bllokohet ekrani” i lojës.
Mirëpo, pas 38 minutave lojë, Willis po ashtu “bllokoi ekranin” dhe më blloqe nuk binin poshtë, ndërsa ai e mposhti lojën.
Tinejxheri – që në YouTube mban nofkën “Blue Scuti” – ka luajtur lojën që nga mosha 11-vjeçare dhe ka garuar në disa turne.
“Kur nisa të luaja këtë lojë kurrë nuk prita që të ‘shkatërroja’ lojën, apo ta mposhti atë”, ka shkruar Willis.
Willis po ashtu theu rekordin për pikë të përgjithshme dhe tre rekorde tjera të botës në “Tetris”.