Për refugjatët nga Ukrainë vlejnë në BE rregullore të posaçme. Këtë muaj duhet të vendoset, nëse ky status do të zgjatet sërish.
Ministrja e Punëve të Brendshme në Berlin, Faeser e mbështet zgjatjen e këtyre rregullave. Pas fillimit të luftës në Ukrainë vitin e kaluar, BE vendosi rregulla të posaçme mbrojtëse për refugjatët nga Ukraina. Akoma nuk është marrë vendimi nga ministrat e Brendshëm të BE, për zgjatjen e sërishme të këtyre rregulloreve, që do të skadonin në fund të marsit, por ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser është shprehur për zgjatjen e statusit të posaçëm mbrojtës të ukrainasve në BE, shprehet DW.
E mbështes fuqimisht këtë, tha Faeser në bisedë me gazetat e grupit mediatik, Funke dhe bëri të ditur, se do të konsultohet së shpejti me homologët e tjerë nga vendet e BE. Faeser vlerësoi ndihmën e dhënë për më shumë se 1 milion ukrainasit e ardhur në Gjermani. “Ne kemi shpëtuar shumë jetë përmes kësaj përpjekje të përbashkët dhe kemi treguar solidaritet të madh me Ukrainën.”
Komisioni Europian do të propozojë zgjatjen e rregullores së posaçme mbrojtëse
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen bëri të ditur këtë javë, se do të propozojë zgjatjen e statusit mbrojtës për refugjatët nga Ukraina. Sipas von der Leyen, rregullorja e BE për “dhënien e statusit të përkohshëm në rast të një fluksi masiv të refugjatëve duhet të zgjatet deri në mars 2025”. Mbi këtë bazë miratohen edhe rregullat e veçanta që vlejnë aktualisht për rreth 4 milionë ukrainasit që kanë ardhur si refugjatë në BE.
Këto rregullore të posaçme bëjnë të mundur, që në rast të një fluksi masiv, njerëzit të marrin shpejt lejen e përkohshme të qëndrimit pa burokracitë e procedurës së azilit. Refugjatët ukrainas në Gjermani dhe në vende të tjera të BE mund të punësohen, janë të siguruar në sistemin shëndetësor dhe mund të dërgojnë fëmijët në shkolla.
Rregullorja e BE është zgjatur dy herë deri më tani. Pritet që pas dy javësh ministrat e Punëve të Brendshme të BE të vendosin për zgjatjen e saj.
Top Channel