Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve dhe palëve të interesuara në të gjithë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.
Kjo ditë shënohet edhe në njohjen e rolit të bamirëseve në lehtësimin e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis vendeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave bamirëse dhe individëve, përfshirë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës.
Në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm të miratuar në shtator 2015, Kombet e Bashkuara pranojnë se çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj, përfshirë varfërinë ekstreme është sfida më e madhe globale dhe një kërkesë e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Agjenda gjithashtu kërkon një frymë të solidaritetit global, duke filluar nga ndërmarrjet e vogla e deri te kooperativat e mëdha dhe organizatat e shoqërisë civile dhe ato filantropike në zbatimin e Agjendës të përqendruar në nevojat e më të varfërve dhe më të prekurve nga krizat humanitare.
Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.