Rruga Tetovë-Prizren është një projekt më se i nevojshëm për rivitalizimin e këtyre dy qyteteve me peshë të madhe në gjeografinë shqiptare në Ballkan. Më shumë se aq, kjo rrugë është e domosdoshme për revitalizim të malësisë së Tetovës dhe Prizrenit, një aks natyror ndër më të bukurit në Ballkan. Është pjesë malore që posedon bukuri sikur ato vendet e bukura që na ka ra rasti t’i vizitojmë në Alpet e Zvivcrës, Austrisë ose Gjermanisë, e për të cilat kemi thënë se vende me bukuri të tillë nuk ka tek ne.
Në fakt ka shumë vende të tilla tek ne, por nuk ka rrugë përmes të cilave mund të lëvizim për t’i parë, shkruan Zhurnal.
Vizita e Kurtit shpresë për afrimin e Tetovës dhe Prizrenit
Shpresa që kjo të ndryshojë në kahje pozitive është shtuar me vizitën e paralajmëruar të kryeministrit kosovar, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut. Në kuadër të kësaj vizite, ai do të qëndrojë edhe në Tetovë, prej ku bashkë më kryetarin e komunës, Bilall Kasami, do të vizitojnë edhe Malësinë e Tetovës për të diskutuar projektin për ndërtimin e një rruge që do të lidh këto dy qytete. Ky projekt me sigrui nuk do të ketë kapacitetin e një projekti rrugor që i nevojitet dy vendeve, mirëpo kur për dalli prej palës kosovare, në anën e Maqedonisë së Veriut kemi një ndërmarrje shtetërore (Rrugët e Maqedonisë), e cila me sa duket nuk është e interesuar të punojë por vetëm të premtojë, atëherë çdo projekt rrugor është i mirëseardhur.
Realizimi i këtij projekti pritet të krijojë lidhje më të sigurta e të qëndrueshme të transportit për njerëz dhe biznese, në veçanti për lidhjen e parqeve nacionale, qendrave turistike dhe korridoreve rrugore, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, deri sat ë bëhet një rrugë e standard më të larta, ndoshta kur do të ndodhin ndryshime në udhëheqësinë e ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, shkruan Zhurnal.
Premtim i kamotshëm, që mund të ja kalojë me vonesë rrugës Shkup-Bllacë
Rruga Tetovë-Prizren është një premtim i kamotshëm. Në vitin 2022 qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga që do të lidhë Tetovën me Prizrenin. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit, duhet të jetë rreth 40 kilometra dhe do të lidhet me një tunel në gjatësi prej 6.4 kilometrash. Projekti i miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut sinqerisht është i mrekullueshëm, por si duket, deri sa sa Ejup Rrustemi të jetë drejtor i ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, vështirë se do hidhet ndonjë lopatë asfalti në atë rrugë, e lëre më të ndërtohet e tëra.
Pse po themi kështu? Themi duke pasur parasysh ngadalësinë me të cilën zhvillohet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Janë tejkaluar shumë afate të premtuara e të nënshkruara, kurse ende nuk kanë përfunduar as dy kilometra. Sa kohë u punua tek tuneli në rrugën Shkup-Bllacë që nuk është ndoshta as 50 metra dhe asgjë nuk u përfundua. Përveç që u maltretuan qytetarët disa ditë duke pritur në kolona të gjata e në temperature të larta, punimet nuk përfunduan, por u ndërprenë.
Vonesa e rrugëve po prishë raportet zyrtare Maqedoni-Kosovë
Athua vonesa e ndërtimit të rrugëve drejt Kosovës, nga një kompani shtetërore me drejtor nga radhët e BDI-së, po dobëson raportet e kësaj partie me Prishtinën zyrtare? Kjo mes rreshtave mund të nënkuptohet nga agjenda e vizitës së kryeministritkosovar në Shkup dhe Tetovë, ku do të takohet vetëm me opozitën. Kosova ka investuar shumë ën ndërtimin e korridorit rrugor drejt Maqedonisë së Veriut, kështu që do të ishte e kuptueshme çdo hatërmbetje eventuale nga ana e tyre për mos ndërtimin e një segmenti rrugor prej 12 kilometrave, sa parashihet të jetë autodstradat Shkup-Bllacë.
Ka shenja që tregojnë një gjë të tillë. Sepse Kurti të premten do të pritet në Shkup nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu nga Lëvizja Demokratike dhe në Tetovë nga Bilall Kasami, kryetar i kësaj komune dhe i Lëvizjes Besa. Vizita e shefit të Qeverisë së Kosovës në Maqedoninë e Veriut shihet si përpjekje për thellimin e bashkëpunimit me opozitën shqiptare në Shkup deri sa z. Kurti nuk ka kërkuar takim me Ali Ahmeti
Edhe zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi i konfirmoi Gazetës Express se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka kërkuar ta takojë Ali Ahmetin, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Kurse nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk janë përgjigjur konkretisht se pse ai kësaj radhe nuk do të takohet me Ahmetin, shkruan Zhurnal.
Të njëjtën gjë e theksoi edhe Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut që vjen nga BDI-ja. Ai tha të hënën se s’janë informuar zyrtarisht për vizitën e Kurtit, duke pandehur se ai s’do të shkojë si kryeministër.
“Ne nuk kemi informacione zyrtare për ardhjen e Kurtit. Kështu, me shumë gjasë ai nuk është duke ardhur si kryeministër. Po shohim nëpër rrjetet sociale, vetëm komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk e kam idenë se për çfarë vizite bëhet fjalë”, tha Osmani në telvizionin Sitel.
Kjo tregon qartë se nëse BDI toleron drejtorë dhe funksionarë të dobët në poste të rëndësishme, atëherë mund të reflektohet negativisht në imazhin e saj sikur te elektorati poashtu edhe në marrëdhëniet me shqiparët e rajonit. Prandaj ndryshimet pozitive në këtë moment do të ishin të mirëseardhura!