“Tani që procesi ka kaluar tek Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila do të japë mendimin e saj mbi aplikimin e Kosovës, lirisht mund të themi se fillon etapa substanciale e procesit, e cila do të shoqërohet me vizita faktmbledhëse të raportuesve dhe me përgatitje të raporteve”, ka thënë kryeministri Kurti. “Në këtë kontekst grupi koordinues do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendshëm, si dhe në ofrimin një pasqyre sa më të saktë dhe koherente të situatës në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”.
Në maj të vitit të shkuar Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës. E, këtë vit Komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës përkrahu aplikimin për anëtarësim, derisa pritet të shqyrtohet e miratohet edhe nga Asambleja Parlamentare.
Në fjalimin e tij para anëtarëve të grupit koordinues kryeministri ka theksuar se, si organizata më e vjetër panevropiane, Këshilli i Evropës ashtu sikurse edhe Kosova mishërojnë vlerat dhe standardet më të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi vlerat e Këshillit të Evropës dhe me Kushtetutë, e cila përfshin instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, natyrshëm e ka vendin në këtë organizatë”, ka thënë ai. “Qeverisja e mirë e progresit demokratik e vlerësuar nga raporte të shumta ndërkombëtare, sidomos në sundimin e ligjit, i ka hapur rrugë procesit të anëtarësimit tonë në këtë organizatë. Pra, Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mundëson qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmat e tjerë mbrojtës të Këshillit të Evropës. Kjo, sipas kryeministrit Kurti, forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.
Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kërkoi nga pjesëmarrësit e grupit koordinues, që institucionet t’i bashkërendojnë veprimet pasi, sipas saj, ky do të jetë ndër faktorët determinues në procesin e anëtarësimit.
“Tani që ka kaluar faza e parë gjithçka do të varet nga bashkërendimi i mirë i këtij grupi. Prandaj, uroj që në institucionet të cilat i përfaqësoni të luftoni në emër të Republikës së Kosovës, që proceset të cilat varen nga institucionet tuaja të ecin sa më shpejt, sepse nga bashkërendimi juaj do të varet edhe ritmi me të cilin ne do të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës sa më shpejt”, ka thënë ministrja Gërvalla.
Ndërkaq kryeministri Kurti ka shprehur zotimin se Qeveria të cilën e drejton do të bashkëpunojë ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përgjatë tërë procesit të vlerësimit dhe ka shprehur besimin se grupi koordinues ndërinstitucional do të punojë me përkushtim në funksion të mbarëvajtjes së vizitave faktmbledhëse, si dhe në adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve nga raportuesit.
Pas fjalimeve të kryeministrit Kurti e ministres Gërvalla mediat nuk u lejuan ta përcillnin diskutimin e mëtejmë në takimin e grupit koordinues.