Pacolli, përmes një postimi në Facebook, tha se rendi dhe ligji zbatohet në të gjithë territorin dhe se askush s’duhet t’i kërkojë Kosovës asgjë tjetër përveç vendosjes së rendit dhe ligjit.
“Zoti Borell dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë mirë se Kosova nuk është një vend pa ligj. Rendi dhe ligji zbatohet në të gjithë territorin. Askush nuk duhet t’i kërkojë Kosovës asgjë tjetër përveç vendosjen e rendit dhe ligjit. Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një vend ku terroristët veprojnë lirshëm”, tha Pacolli.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se “pavarësisht takimeve të mbajtura dje” në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, “përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm” në veri të Kosovës.
“Ne nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Ai ka theksuar se është i “alarmuar me situatën në veri të Kosovës: arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe marshimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut; ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia”.
Më 23 qershor, Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it, misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë.
Kujtojmë se dje Policia e Kosovës në Zveçan, në një automjet që kishte ardhur nga Serbia, ka konfiskuar një sasi të madhe armësh, municion, zolla, shok-bomba, jelekë anti-plumb e çanta ushtarake. /Telegrafi/