AKTUALE

Hasan Prishtina në Kuvendin e Junikut – Një kolos me dy jubile

Karvani ynë që sivjet ka nisur të lëvizë për të shënuar 150 vjetorin e lindjes dhe 90 vjetotin e renies së Hasan Prishtinës, sot është ndalur në Junikun tonë të bukur.

Shkruan: Mehmet Prishtina

Para 111 viteve këto kulla që sot me krenari presin e përcjellin miq e dashamirë nga gjithë hapësira shqiptare, ishin dëshmitare të një ngjarje të madhe e cila në historiografi do të njihet si Kuvendi i Junikut. Ditët plot me diell të majit të 1912-tës, paralajmëronin agun e një zgjimi kombëtar, sepse krerët e shqiptarisë kishin vendosur që në Junik të lidhnin besa-besën për t’i dhënë tokave arbërore lirinë e shumëpritur. Prandaj datat 22-25 maj 1912 do të mbeten në historinë e lavdishme shqiptare si gurët më të çmuar në kalendarin e kujtesës kombëtare, për arsye se pikërisht ato ditë vuajtjet shekullore të shqiptarëve nën robërinë e huaj po shkëputeshin nga vargojt e robërisë dhe po sillnin dritën e shpresës, që do të kurorëzohet pak më vonë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Kuvendi i Junikut me nismën e Hasan Prishtinës mblodhi 300 delegatë nga gjithë trevat shqiptare dhe si i tillë paraqet platformën më të kristaltë kombëtare që do t’i paraprijë ngjarjeve të bujshme, duke filluar nga çlirimi i Shkupit, më 12 gusht 1912 e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Kjo ngjarje e rëndësishme historike ishte edhe një përgjigje ndaj aspiratave grabitqare të shovinistëve fqinjë, por edhe politikave joparimore të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes kombëtare shqiptare, e cila padrejtësisht u cënua në Kongresin e Berlinit. Prandaj Kuvendi i Junikut, përmes përfaqësuesve të katër vilajeteve shqiptare, e artikulonte qartësisht idenë e krijimit të mëvetësisë shqiptare brenda kufijve etnik, duke e integruar këtë ide në një program 14 pikësh, të cilat janë edhe 14 nenet e kushtetutës shqiptare të miratuar në Junik.

Ky program paraqiste në mënyrë të detajuar vizionin politik për një Shqipni të lirë, e cila do të qeverisej nga vetë shqiptarët, ku parashihej:

Kuvendi i Junikut, me programin e tij kombëtar 14 Pikat,ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe në shtimin e radhëve të saj me mijëra luftëtarë, ndërkohë që Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë iu vunë punës për të vënë në jetë vendimet e Kuvendit të Junikut. Ai lëshoi një shpallje në gjuhën turke dhe në gjuhë të tjera, drejtuar “Shqiptarëve liridashës dhe botës së qytetëruar”, në të cilën theksonte se “pas përpjekjesh të pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës, shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të rrëmbimit të armëve. Është momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”, përfundonte thirrja e Hasan Prishtinës.

Kuvendi i Junikut frymëzoi shqiptarët në luftën e tyre heroike për çlirim, kurse fryti i parë i kësaj përpjekjeje ishte çlirimi i Shkupit në gushtin e vitit 1912-të, i cili rezultoi me thirrjen e Kuvendit të Shkupit ku Hasan Prishtina kërkoi bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, me kryeqytet Shkupin.

Historiografia shqiptare ia ka borxh Kuvendit të Junikut një përkushtim edhe më të madh hulumtues e shkencor, për arsye se për nga pesha dhe rëndësia të rangohet në ngjarjet më kulmore të kombit, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në përmbyllje, do të doja të përçoja tej ju, mesazhin e Kuvendit të Junikut për një unitet më të madh brenda nesh, duke lënë anash ndasitë partiake e ideologjike, sepse Kosova ka nevojë shumë për mirëkuptimin tonë të brendshëm, përballë sfidave të cilat ende nuk kanë mbaruar.

Related posts

LSDM: Apasiev po e drejton Mickoskin, bashkë bllokojnë rrugën drejt BE

admin

Forumi Shqiptarë:Flasim me vepra,rruga Tuz-Vllanë-Matagush prioritet në mandatin e ardhshëm

admin

Gërkovska: Funksionarët të bëjnë dallim mes aktiviteteve partiake dhe atyre shtetërore

Gjyla Halili

Leave a Comment