Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se procesi i dialogut me Serbinë, nuk duhet të përdoret “për ta normalizuar” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Le të jemi të sinqertë. Po flasim për një autokrat. Po përballemi me një shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e kryer ndaj njerëzve të mi, por Kosova, në të njëjtën kohë, e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, për të qenë konstruktive dhe e angazhuar. Janë nënshkruar mbi 40 marrëveshje në Bruksel, dhe lista e shkeljeve nga ana e Serbisë është shumë-shumë e gjatë”, ka thënë Osmani, në një bisedë me Këshillin Atlantik në Uashington.
Këshilli Atlantik është institut amerikan që merret me çështje ndërkombëtare.
E pyetur për rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka thënë se duhet pasur shumë kujdes për rrugën që mund të marrë dialogu.
“Teksa ka tentime për ta bërë atë temë më të rëndësishme sesa të tjerat, unë mendoj që kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit. Serbisë nuk i intereson minoriteti serb, por i intereson vetëm që ta ketë një instrument, përmes të cilit do të mund ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.
Ajo e ka komentuar edhe draft-statutin për Asociacionin, të prezantuar më 2 maj, nga një ekip menaxhues, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.
“Pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Jo propozimi i Serbisë që synon të krijojë një tjetër republikë të [udhëheqësit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad] Dodikut, apo edhe më keq, në rajon… ndërsa draft-vizioni i Qeverisë i ka prezantuar parametrat, mbi të cilët do të mund të formohet statuti dhe i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Kushtetutës”, ka thënë ajo.
Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.
Si përgjigjje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Disa burime në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.