Ekspertët dhe prokurori Sokol Nishani kanë mbërritur në kampin MEK në Manzë të Durrësit dhe kanë hyrë në morgun ku ndodhet një trup i pajetë brenda spitalit të kampit.
Pritet që të bëhet ekspertiza e viktimës, muxhahedinët pretendojnë se u vra nga forcat e policisë. Ndërsa vetë Policia thotë se gjatë operacionit nuk pati viktima.
Më herët, Ministria e Brendshme, në një reagim për ngjarje, tha se “për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të iranianëve po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”.
Sot në mëngjes, Policia e Shqipërisë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antiterror nisi një operacion në kampin ku strehohet që prej vitit 2015 muxhahedinët, në Manëz të Durrësit.
Policia hasi në rezistencën e iranianëve, që kundërshtuan me forcë kontrollet në kompjuterët dhe pajisjet e tjera teknologjike. Në mes të tensioneve, muxhahedinët deklaruan për mediat se ka një viktima dhe disa të plagosur në kamp. Pas largimit të policisë, ata vazhduan të protestonin, ndërsa akuzuan policinë se “u vrau vëllanë e tyre”.
Avokati i muxhahedinëve Genc Gjokutaj është shprehu se në kampin e MEK në Manzë të Durrësit është bërë bastisje.
Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se është i rëndë fakti që policia mohon vdekjen e një personi, i cli sipas tij ka humbur jetën si pasojë e goditjeve dhe gazit lotsjellës.
“Flitet për një kontroll në kamp , flitet për një procedim penal të nisur nga SPAK. Është ardhur në kamp dhe ka filluar debati dhe konflikti. Është përdorur gazlotsjellës. Muxhahedinët kanë kërkuar mbrojtje. Policia ne nuk na ka lejuar të futemi në kamp. Është një i vdekur si pasojë e goditjeve dhe gazlotsjellës. Kundrejt policisë nuk ka pasur dhunë. Do të dalë një raport përfundimtar i policisë. Është i rëndë fakti që policia nuk pranon vdekjen e një personi. Do të marrim hapa ligjor. Janë sekuestruar materiale, pa procesverbal. Kanë bërë bastistje”- tha ai.