Edhe pse kryeministri nuk ishte i pranishëm në kuvend e as kreu i grupit të rithemelimit, si më të zëshmit në përplasjet politike, seanca plenare këtë të enjte nisi me debate, ndryshe nga ajo që pritej.
Deputetët mbështetës të Berishës kërkuan ndryshimin e rendit të ditës për të zhvilluar një mocion me debat për raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë.
“Ky parlament duhet të ishte në këmbë sot për raportin e DASH-it. E bëmë kërkesën për mocion për debat se është raporti më i rëndë që nxin Shqipërinë”, tha Boçi.
“A ka më çështje prioritare se ky raport? Çdo qeveri do ishte në gjunjë përballë tij”, u shpreh Bylykbashi.
Ky propozim nuk u mor për bazë nga mazhoranca, që sipas tyre ishte në kundërshti me rregulloren e kuvendit.
Pavarësisht se kërkesa e grupit të foltores nuk u plotësua brenda ditës, ajo u vlerësua në parim dhe pas shqyrtimit brenda tre ditësh nga Konferenca e kryetarëve, do të vendoset data e ora e zhvillimit të mocionit.
“Nga kërkesa po shikoj që keni reflektuar, nuk keni vendosur firmën e kryenongratës. Ne jemi dakord për debatin për raportin e DASH, se edhe ne kemi shumë kohë që presim të diskutojmë për vendimin e DASH për shpalljen non grata të njërit prej jush“, tha Balla.
Pas kësaj përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, rendi i ditës vazhdoi normalisht me interperlancën e ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliut përballë demokratëve Bujar Leskaj dhe Zef Hilës, si dhe pyetje përgjigjet mes ministres së arsimit Evis Kushit dhe deputetes Erisa Xhixho.
Top Channel