Forumi i Prespës për Dialogun 2023 (PFD2023) do të mbahet më 15 dhe 16 qershor në Strugë. Forumi i sivjetshëm, siç paralajmëruan organizatorët, ka një rëndësi të veçantë për vendin dhe rajonin, duke pasur parasysh se 17 qershori shënon pesëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, njofton pressonline.mk .
“PFD2023 do të mbahet në një kohë të shënuar nga agresioni ushtarak i paprecedentë, i paprovokuar dhe ç’njerëzor i udhëhequr nga Rusia kundër Ukrainës, por edhe gjatë presidencës së Maqedonisë së Veriut me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me të cilën kemi marrë një përgjegjësi të madhe dhe vendosmëri që të angazhohemi plotësisht në mbrojtjen e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit” – thuhet në njoftim.
Programi i Forumit do të përfshijë, ndër të tjera, diskutime për çështje urgjente politike – sigurinë rajonale dhe evropiane, integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, perspektivat për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, luftën kundër korrupsionit, etj.
“PFD2023 do të ofrojë edhe një herë një platformë për diskutim dhe do të mbledhë në një vend përfaqësues të rangut të lartë vendas dhe ndërkombëtar, diplomatë, figura të shquara nga komuniteti akademik dhe i biznesit, shoqëria civile dhe përfaqësues të organizatave rinore, të cilët do të kenë një mundësi të shkëlqyer që të ndajnë personalisht analizat, mendimet dhe idetë e tyre për një gamë të gjerë temash rajonale dhe ndërkombëtare, theksojnë organizatorët e Forumit të Prespës për Dialogun 2023.