AKTUALE

Hapet ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës” në Korçë

Ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës” u hap dje në Muzeun e Arsimit në Korçë. Një ekspozitë, e cila u organizua në kuadër të 136-vjetorit të çeljes së Mësonjëtores së Parë Shqipe. Në sallën e bibliotekës së muzeut të gjithë ata që do të duan ta vizitojnë, do të shohin për herë të parë objekte personale, dëshmi, dokumente, fotografi, letra të shkruara nga personalitetet e rëndësishme të dy shkollave që u hapën në Korçë, Mësonjëtorja e Parë Shqipe dhe Mësonjëtorja e Vashave.

 

Tashmë pjesë e fondit të muzeut këto objekte, fotografi dhe dëshmi ju përkasin themeluesve, mësuesve dhe nxënësve të këtyre shkollave të para kombëtare dhe janë dhuruar nga pasardhësit e tyre. Ndërveprimi midis objekteve origjinale dhe fakteve interesante,  ndërthuren bukur me video – montazhe, ku shfaqen fotografi dhe shumë materiale të tjera.

 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa dita në muze. Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887, në kushtet e pushtimit otoman dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije. Mësonjëtorja e Parë Shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit.

 

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si Dita Kombëtare e Mësuesve.

Related posts

“Jehona e Malësisë” uron komunën e Tuzit me rastin e Ditës së Komunës

Gjyla Halili

Komandanti i logjistikës së brigadës 115 të UÇK-së Azbi Nuredini i bashkohet LD-së, Mexhti: Ndryshimi bëhet më persona kombëtarë

Gjyla Halili

25,41 % dalje e votuesve në Gostivar deri ora 15:00

Gjyla Halili

Leave a Comment