Në Karposh të Shkupit është gjetur pllakë me mbishkrimin “Dardanus” te varrezat e vjetra. Derisa po bëhej pastrimi e këtyre varrezave dikush e ka fotografuar dhe e ka postuar në rrjetet sociale. Në fotografi shihet se një pjesë e pllakës është dëmtuar.
TV21 doli në terren për ta parë nga afër, por investitori nuk lejoi që të incizohet, pasi siç u shpreh është pronë private. Pas kësaj, në vendin e ngjarjes me kërkesë të TV21 erdhi Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Arian Asllanaj, i cili premtoi se pas 2 ditëve kjo pllakë do të dërgohet në muzeun shtetëror, pa u dëmtuar.
“Po ju premtojmë se brenda 2 ditëve do të pastrohet dhe do të ruhet maksimalisht, do të ekspozohet në muzeun e Maqedonisë, ku është edhe e lejuar të ruhen këto. Po ju premtoj se do të ketë edhe deklaratë, nëse doni mund të vijë edhe unë bashkë me shkencëtarët të cilët e njohin kanë njohuri për këtë”, tha Asllanaj.
Drejtori Arian Asllanaj përveç kësaj theksoi që këto varreza në këtë territor janë nga shekulli 6, si dhe brenda varrezave siç u shpreh ai mund të gjenden unaza, shpata dhe shigjeta.
Ndryshe sipas historisë, Dardanët ishin fis Ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesisht në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj dhe ata ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s. /TV21/