BOTA

Pence pritet të kundërshtojë thirrjen e gjykatës në procesin kundër ish-presidentit Trump

Ish-nënpresidenti republikan i SHBA-së, Mike Pence, pritet ta kundërshtojë një thirrjeje të jurisë së madhe për të dëshmuar në lidhje me përpjekjet e Donald Trumpit për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi për këtë duke u mbështetur në informacionet e një burimi anonim të afërt me nënpresidentin.

Zoti Pence pritet të thotë se duke qenë edhe kreu i Senatit, ai ishte gjithashtu pjesë e legjislativit dhe kjo, sipas nënpresidentit e mbron atë nga disa kërkesa të Departamentit të Drejtësisë. Zoti Pence pritet të përdorë këtë arsyetim në vend të asaj se ai gëzonte privilegjin ekzekutiv si nënpresident i atëhershëm, tha burimi.

Një përfaqësues i zotit Pence nuk iu përgjigj kërkesës për koment mbi vendimin e tij për të kundërshtuar kërkesën e prokurorit të posaçëm, Jack Smith.

Zoti Smith, prokuror i pavarur politik dhe ish-prokuror i krimeve të luftës, po heton përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, të cilat përfshinin sulmin vdekjeprurës të mbështetësve të ish presidentit Trump më 6 janar 2021, kundër Kapitolit ndërsa Kongresi u mblodh për të certifikuar fitoren e demokratit Joe Biden.

Donald Trump ka bërë vazhdimisht pretendime se ai humbi zgjedhjet e vitit 2020 kundër presidentit Biden përmes mashtrimit masiv të votuesve. Ai gjithashtu e ka kritikuar ashpër zotin Pence për mosbllokimin e certifikimit të rezultatit nga Kongresi më 6 janar, ndërsa mbështetësit e ish presidentit Trump hynë në Kapitol, disa duke brohoritur: “Vareni Mike Pence”.

Shefi i stafit të zotit Pence, Marc Short, dhe Greg Jacob, i cili ishte këshilltari kryesor ligjor i ish-nënpresidentit, së bashku me ish avokatë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë janë paraqitur më parë para jurisë së madhe që tani drejtohet nga prokurori Smith.

Një komision i posaçëm tani i shpërndarë i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin, kërkoi gjithashtu dëshmi nga zoti Pence, por ai nuk u paraqit. Paneli në fund u bëri thirrje prokurorëve federalë të akuzojnë zotin Trump për katër krime, përfshirë kryengritjen.

Ish-Presidenti Trump, i cili ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, i ka quajtur hetimet pjesë të një gjuetie të vazhdueshme politike shtrigash. Ish-nënpresidenti Pence i cili raportohet se po peshon vetë shpalljen e kandidaturës për president u ka kërkuar republikanëve që të mos merren më me humbjen e zgjedhjeve të vitit 2020. /VOA

Related posts

Akujt në malet Pireneje do të zhduken brenda dekadës së ardhshme

admin

Rritet numri i viktimave në Turqi dhe Siri

admin

Kievi: Rusia kërcënon anijet civile në Detin e Zi

admin

Leave a Comment