Në prag të ndeshjes së nesërme kundër Arsenalit, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola e nisi konferencën për shtyp duke i kërkuar falje ish-futbollistit të Liverpoolit, Steven Gerrard.
“I kërkoj falje Steven Gerrardit për komentet e mia të panevojshme dhe gomarllëqet që thashë për të herën e fundit. Më vjen turp për veten time, sepse ai nuk e meriton”, ka thënë Guardiola.
Pep, pak ditë më parë, ishte shprehur pakujdesshëm se nuk ishte faji i Cityt që e kishte fituar titullin në vitin 2014 falë një gabimi të Gerrard, që ia hoqi nga duart trofeun Liverpoolit.
“Ai e di se sa shumë e admiroj, atë dhe karrierën e tij. Më vjen turp nga vetja, sepse ai nuk e meriton. Nuk e kam përfaqësuar mirë klubin tim. I kërkova falje Gerrardit privatisht, por duke qenë se komenti ishte publik, edhe falja ime duhet të jetë publike”, vijoi më tej Pep.
Veç kësaj, Guardiola foli sigurisht edhe për Arsenalin, rivalin e tij të madh në Premier League.
“Deri më tani ata janë skuadra më e mirë në Premier League. Ne e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Do të jetë një betejë e fortë, shumë e fortë”.