Komuna e Bërvenicës sot po zhvillon raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, ku përballë njëri-tjetrit janë Stojanço Radiçevski nga VMRO-DPMNE dhe Arkin Jahiji nga koalicioni AKI.
Sipas të dhënave zgjedhore, në Komunën e Bërvenicës janë të regjistruar gjithsej 16.256 votues, të cilët votojnë në 24 vendvotime në 10 vendbanimet e komunës, përcjell TS.
Në raundin e parë, të mbajtur më 18 tetor, Radiçevski fitoi 2.945 vota ose 38,89 për qind, ndërsa Arkin Jahiji mori 2.152 vota ose 28,42 për qind. Në vendin e tretë u rendit Jakup Huseini nga VLEN-i me 1.529 vota (20,19%), ndërsa kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski, mori 707 vota (9,34%).
Sa i përket përbërjes etnike, sipas Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë rreth 54,06 për qind të popullsisë rezidente të komunës, përkatësisht 7.377 banorë. Maqedonasit përbëjnë 41,88 për qind ose 5.715 banorë, ndërsa pjesa tjetër u përket komuniteteve të tjera.
Komuna e Bërvenicës përfshin 10 vendbanime: Bërvenicën, Radiovcën, Çellopekun, Miletinën, Tenovën, Gurgurnicën, Sedllarcën e Poshtme, Stençën, Vollkovin dhe Bllacën.
Sot, vëmendja është te gara mes dy kandidatëve, ndërsa rezultati i votimit do të përcaktojë se kush do ta udhëheqë Komunën e Bërvenicës në mandatin e ardhshëm.
