AKTUALE

Nikollë Camaj: Forumi Shqiptar, një kapitull i ri dhe një përgjegjësi e përbashkët

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, e ka cilësuar bashkimin e tri partive politike shqiptare në një subjekt të vetëm – Forumin Shqiptar – si një moment të rëndësishëm dhe hapjen e një kapitulli të ri në përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Pas përfundimit të aktivitetit ku u kurorëzua ky proces bashkimi, Camaj ndau mesazhin e tij mbi rëndësinë e unitetit, përgjegjësisë politike dhe bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve.

Aktiviteti u zhvillua në dy pjesë. Pjesa e parë u karakterizua nga një atmosferë festive, me pjesëmarrjen e miqve dhe përfaqësuesve politikë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa pjesa e dytë iu kushtua vendimmarrjes dhe zgjedhjes unanime të kryesisë së re të Forumit Shqiptar.

Camaj theksoi se bashkimi ka kuptim të vërtetë vetëm kur interesat personale dhe partiake vendosen në plan të dytë, ndërsa në radhë të parë qëndrojnë interesi kombëtar, vendi ku jetojnë shqiptarët dhe e ardhmja e brezave të rinj.

Ai rikujtoi se rrugëtimi politik i shqiptarëve është shoqëruar me ndarje, mosmarrëveshje dhe sfida, por edhe me sakrifica që kanë bërë të mundur arritjen deri te ky moment.

Sipas tij, brezi i ri duhet të mësojë nga përvojat e së kaluarës, duke marrë shembull mënyrën se si ndërtohet partneriteti, respektohen dallimet dhe vendoset interesi i përbashkët mbi atë individual.

Njëkohësisht, Camaj nënvizoi se bashkimi i tri partive nuk nënkupton mohimin e pluralizmit politik dhe as mungesën e respektit për subjektet e tjera politike. Përkundrazi, ai vlerësoi se duhet të ndërtohen marrëdhënie korrekte dhe bashkëpunim me të gjithë partnerët e mundshëm.

Në mesazhin e tij drejtuar të rinjve, por edhe përmes prononcimit për TOP TV, Camaj përcolli një thirrje për përgjegjësi dhe vizion të përbashkët politik.

“Le të na bashkojë e ardhmja, jo interesat e çastit; përgjegjësia, jo ambicia personale; dhe vullneti për të ndërtuar, jo dëshira për t’u ndarë”, ishte mesazhi i tij.

Camaj theksoi se objektivi i përbashkët duhet të jetë ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë, më të drejtë dhe më të suksesshme për të gjithë shqiptarët.

Banner

Related posts

O’Brien: ShBA-të do t’i kushtojnë vëmendje nevojave të Kosovës

Gjyla Halili

“Porosia e Kullës” – malësori, Malësia e Madhe, qytetërimi dhe bota te Pashko Camaj

Gjyla Halili

TDP demanton shpifjet e opozitës: Jemi me Frontin Europian, më 8 maj e merrni përgjigjen për gënjeshtrat që i shpikni!

Gjyla Halili