Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega në Tetovë shpreh shqetësimin për dallimet e mëdha financiare që dalin nga krahasimi i alternativave të paraqitura në studimin e fizibilitetit për ndërtimin e kompleksit në parcelën e zjarrfikësve në Tetovë.
Sipas shifrave të bëra publike, alternativa A1 parashikon një kosto prej 28,5 milionë eurosh, ndërsa në alternativën A3, ndërtimi parashihet të realizohet nga një investitor privat.
Sipas të njëjtave të dhëna, Komuna e Tetovës do të paguante 7.772.400 euro për pjesën e saj të objektit, ndërsa investitorit privat do t’i mbeteshin edhe 5.757 metra katrorë, të cilët, me çmimin prej 1.200 eurosh për metër katror, do të kishin vlerë prej 6.908.400 eurosh.
Llogaritja është e thjeshtë:
Pagesa e Komunës: 7.772.400 euro
Vlera e pjesës së investitorit privat: 6.908.400 euro
Gjithsej: 14.680.800 euro
Kostoja e paraqitur për alternativën A1: 28.500.000 euro
Diferenca: 13.819.200 euro
Përballë këtyre shifrave, lindin pyetje legjitime që kërkojnë përgjigje nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Si shpjegohet ky dallim prej rreth 13,8 milionë eurosh? Cilat kosto janë përfshirë në secilën alternativë? Kush përfiton nga modeli i propozuar dhe cilat janë përfitimet konkrete për qytetarët e Tetovës?
BDI – Dega në Tetovë kërkon transparencë të plotë për këtë projekt, publikimin e dokumentacionit përkatës dhe një sqarim të argumentuar për arsyet e zgjedhjes së alternativës A3.
Prona publike dhe projektet me rëndësi për qytetin nuk mund të trajtohen pa llogaridhënie. Qytetarët e Tetovës kanë të drejtë të dinë se si vlerësohet pasuria publike, cilat janë detyrimet e Komunës dhe çfarë përfitimesh reale sjell ky projekt për interesin publik.
Bilall Kasami duhet t’u përgjigjet qytetarëve me dokumente dhe shifra, jo me heshtje.
