AKTUALE

REAGIM: Premtimet e Kasamit mbetën në letër, qytetarët përfundojnë në spital

Një grua 68-vjeçare përfundoi me lëndime të rënda në Spitalin Klinik të Tetovës pasi u rrëzua duke ikur nga një tufë qensh endacakë. I urojmë shërim të shpejtë dhe shprehim solidaritet me të dhe familjen e saj.

Ky rast i rëndë kërkon përgjegjësi nga Bilall Kasami dhe administrata që ai drejton. Pas gati pesë vitesh në krye të Komunës së Tetovës, qytetarët vazhdojnë të përballen me rrezikun në rrugë, pranë shkollave dhe në hapësirat ku luajnë fëmijët.

Shifrat janë alarmante. Në pesë vitet e fundit të keqmenaxhimit të Bilall Kasamit janë raportuar më shumë se 300 raste sulmesh dhe kafshimesh ndaj qytetarëve të Tetovës nga qentë endacakë.

Ku përfunduan premtimet e Bilall Kasamit?

Në nëntor të vitit 2021 premtoi hartimin e një strategjie afatgjatë në 100 ditët e para. Në maj të vitit 2023 premtoi strehimore brenda tre muajve. Afati kaloi, ndërsa në shtator ende diskutohej lokacioni. Strehimorja u hap vetëm në korrik të vitit 2024, rreth 14 muaj pas premtimit.

Por përgjegjësia e tij vazhdon edhe pas hapjes së strehimores. Rezultati duhet të shihet në sigurinë e qytetarëve.

Pasojat janë të rënda. Një grua që theu këmbën duke ikur nga qentë në vitin 2022, një fëmijë 10-vjeçar i kafshuar në vitin 2024, qen që hynin lirshëm në oborrin e çerdhes “Rinia” në shkurt të vitit 2026. Tani, edhe një 68-vjeçare me lëndime të rënda.

Sa raste të tjera duhet të ndodhin që siguria e qytetarëve të bëhet përparësi reale?

Menaxhimi juaj është shoqëruar me premtime të shkelura, ndërprerje të trajtimit të qenve dhe mungesë përgjigjesh të plota për kontratat dhe rezultatet. Qytetarët kanë të drejtë të dinë sa para janë paguar, çfarë shërbimesh janë kryer dhe pse ata vazhdojnë të sulmohen nga tufa të pakontrolluara të qenve endacak, që i gjen në çdo cep të qytetit.

BDI – Dega Tetovë kërkon ndërhyrje urgjente nga ekipet profesionale në zonat e rrezikuara, veçanërisht pranë shkollave dhe çerdheve, me trajtim human dhe mbikëqyrje veterinare.

Kërkojmë publikimin e kontratave, pagesave dhe raporteve të kontrollit, si dhe një plan veprimi me afate dhe përgjegjës të përcaktuar.

Bilall Kasami, mban përgjegjësi politike dhe individuale për vonesat dhe për dështimin për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme brenda ketyre 5 viteve.

Tetovarët kanë të drejtë të ecin të sigurt në qytetin e tyre. Çdo premtim i pambajtur për këtë çështje ka një kosto njerëzore.

Merrni përgjegjësi dhe veproni!

Me respekt,
BDI – Dega Tetovë

Banner

Related posts

Durmishi: Është perceptim që çmimet janë të larta, ato janë stabile

Gjyla Halili

LAMM: Kjo është gjendja e rrugëve në vendin tonë

Gjyla Halili

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e zjarrit të spitalit modular në Tetovë, për shkak të fakteve të vërtetuara pa kujdes në aktgjykim

Gjyla Halili