VLEN-i, në një kumtesë për zgjedhjet lokale në Bërvenicë, ka deklaruar se respekton vendimin e qytetarëve të shprehur më 18 tetor, por nuk ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë që votuesit e tij ta mbështesin kandidatin shqiptar, Arkin Jahiji, në rrethin e dytë.
Në vend të një apeli të qartë për votë, koalicioni ia ka lënë përgjegjësinë për mobilizimin vetë Jahijit dhe koalicionit që e mbështet.
“Tani përgjegjësia është te Arkin Jahiji dhe koalicioni i tij që të mobilizojë votuesit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Nga ky koalicion theksojnë se kandidati i tyre, Jakup Huseini, së bashku me shtabin lokal, ia ka uruar fitoren Jahijit që në përmbyllje të votimit dhe i ka ofruar mbështetje për balotazhin. Megjithatë, kumtesa nuk e shoqëron këtë qëndrim me një thirrje të drejtpërdrejtë drejtuar elektoratit për ta votuar atë.
Një pjesë e konsiderueshme e reagimit i kushtohet kritikave ndaj opozitës. VLEN-i pretendon se fjalori i përdorur ditëve të fundit dhe sulmet ndaj Huseinit nuk i shërbejnë unifikimit dhe mund të prodhojnë efekt të kundërt.
“Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës”, deklarojnë nga VLEN-i, duke shtuar se votuesit e tyre janë orientuar që natën e zgjedhjeve “pro unitetit dhe pro kandidatit shqiptar”.
Në përfundim, koalicioni akuzon BDI-në për pazare politike në të kaluarën dhe deklaron se çdo përfshirje e Bërvenicës në marrëveshje të tilla do të përbënte tradhti ndaj votuesve dhe qytetarëve të komunës.
Kështu, ndonëse VLEN-i përmend mbështetjen e ofruar nga kandidati dhe shtabi i tij lokal, qëndrimi publik i koalicionit mbetet pa një apel të shprehur për votimin e Arkin Jahijit në rrethin e dytë.
