Myftinia e Tetovës pati kënaqësinë të mirëpresë Përfaqësuesin e Fondacionit Turk Maarif për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Osman Demirgül, drejtoreshën e Shkollës Maarif në Tetovë, Nurcan Sucubaşı, si dhe zëvendësdrejtorin e shkollës, Ilir Ibraimi.
Delegacioni u prit nga Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, ndërsa në takim ishte i pranishëm edhe Mr. Mahmud Emini, Referent për Arsim në Myftininë e Tetovës.
Gjatë takimit u zhvillua një bisedë e frytshme mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, projektet që do të kontribuonin në zhvillimin akademik dhe shpirtëror të të rinjve, si dhe mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Myftinisë së Tetovës dhe Fondacionit Turk Maarif.
Në atmosferën miqësore dhe konstruktive të takimit u theksua rëndësia e arsimit dhe e vlerave shpirtërore në ndërtimin e së ardhmes së shoqërisë, ndërsa u shpreh edhe vullneti i përbashkët për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, falënderoi delegacionin e Fondacionit Turk Maarif për vizitën e tyre të çmuar dhe u uroi suksese në veprimtarinë e tyre. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondacionit Turk Maarif shprehën mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë të Myftinisë së Tetovës.
Urojmë që kjo vizitë e rëndësishme të shërbejë si një hap i mëtejshëm në forcimin e lidhjeve vëllazërore dhe të bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërmjet dy institucioneve.

