AKTUALE

“Vendimi për emrat, orkestruar nga ‘Bota Serbe’”

Vijojnë përplasjet mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Komunës së Tetovës lidhur me shfuqizimin e vendimit të Këshillit Komunal për emërtimin e rrugëve në qytet. Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar akuzat ndaj Komunës së Tetovës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit që kishte të bënte me emrat e rrugëve. Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon destabilizimin e vendit dhe, sipas tij, është rezultat i ndikimit të qarqeve serbe dhe ruse.

Rexhepi kërkoi edhe një herë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal të Tetovës, ku do të miratohej sërish vendimi i vitit 2007 për emërtimin e rrugëve, duke theksuar se këshilltarët e BDI-së do ta mbështesnin atë. “Ne sot i bëjmë një thirrje përfundimtare Komunës së Tetovës që brenda dy ose tre ditëve të ardhshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të miratohet vendimi që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, një vendim i sjellë në vitin 2007 nga Këshilli Komunal dhe që ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse Komuna e Tetovës shpreh gatishmëri për ta miratuar këtë vendim, do të ketë mbështetjen e plotë të këshilltarëve tanë. Nëse refuzon thirrjen tonë për një seancë të jashtëzakonshme, atëherë do ta konsiderojmë bashkëfajtore dhe bashkautore të këtij vendimi skandaloz. Sipas informacioneve që posedojmë, ky vendim është orkestruar nga qarqe të botës serbe dhe ruse që veprojnë në rajon”, deklaroi Bajram Rexhepi.

Nga Komuna e Tetovës vazhdojnë të theksojnë se vendimi i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi si akt zyrtar dhe juridikisht i vlefshëm. “Bëhet fjalë për emërtime që për vite me radhë janë përdorur në komunikimin e Komunës së Tetovës dhe që do të vazhdojnë të përdoren edhe në të ardhmen në komunikimin institucional. Është fakt se për afro dy dekada BDI ka qenë pjesë e pushtetit qendror dhe ka pasur të gjitha mundësitë që këtë proces ta përmbyllte në mënyrë të rregullt dhe ligjore. Megjithatë, vendimi përkatës asnjëherë nuk është proceduar dhe miratuar nga Qeveria, prandaj emërtimet nuk janë regjistruar në institucionet kompetente shtetërore. Pse kjo nuk është bërë për gati njëzet vjet, përgjigjen duhet ta japin ata që e kanë udhëhequr procesin”, deklaroi zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Albion Alili.

Më tej, nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se është formuar një komision i posaçëm për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe përfundimtare të kësaj problematike. “Ashtu si shumë çështje të tjera që kanë mbetur të papërfunduara ndër vite, edhe procesi i emërtimit të rrugëve ka mbetur në gjysmë. Pikërisht për këtë arsye, Komuna e Tetovës ka formuar një komision të posaçëm, i cili po punon për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe përfundimtare. Qëllimi ynë është që të gjitha rrugët, sheshet dhe hapësirat publike të qytetit të kenë emërtime të rregulluara sipas procedurave ligjore, të regjistruara në institucionet kompetente dhe në përputhje me realitetin historik, kulturor dhe shoqëror të Tetovës. Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar që këtë proces ta përmbyllë njëherë e përgjithmonë, në interes të qytetarëve dhe të funksionimit të rregullt institucional”, deklaroi Alili./Koha.mk

Banner

Related posts

Dje, Lladrovci kishte paraparë mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve pa mbledhjen e dy qeverive

admin

Kryeministri i parë shqiptar/ Spiropali: Shembuj si ky na bëjnë të besojmë dhe të jemi të sigurtë se bashkë bëјmë ëndrrën realitet, të jemi pjesë e BE-së

Gjyla Halili

Prurje të reja në VLEN – Gostivar

Gjyla Halili