Shkruan: Azgan Haklaj
Marrveshja e Ohrit nuk ishte dokument me afat skadence por kontrata sociale mbi të cilën mbahet paqja dhe ekzistenca e Maqedonisë së Veriut!
Në vitin e saj të 25-të, Marrëveshja e Ohrit po kalon nga një traktat paqeruajtës në një fushëbetejë të hapur interpretimesh ligjore, gjeopolitike dhe territoriale.
E nënshkruar më 13 gusht 2001 për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe për të shmangur një luftë civile të përmasave ballkanike, kjo marrëveshje nuk lindi si një kompromis i thjeshtë politik, por si një riorganizim themelor i vetë shtetit.
Sot, nën trysninë e zhvillimeve të reja politike në Maqedoninë e Veriut, kjo kornizë po përballet me një inxhinieri të mirëfilltë demontimi.
Bëhet fjalë për një proces gradual ku instrumentet kushtetuese të fituara me mund e sakrificë po çaktivizohen përmes mekanizmave zyrtarë e institucionalë.
Geneza e Traktatit:
Ushtria Çlirimtare Kombëtare si Reagim Sistemik!
Kryengritja e armatosur e vitit 2001 e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk mund të kuptohet pa analizuar kuadrin juridik e shoqëror të viteve të nëntëdhjeta.
Kushtetuta e miratuar në vitin 1991 e përcaktonte Maqedoninë si shtet kombëtar ekskluziv të popullit sllavo-maqedonas.
Popullsia shqiptare, ndonëse autoktone dhe me një peshë të madhe demografike, u trajtua nga sistemi si një pakicë kombëtare.
Kjo solli një margjinalizim të thellë institucional, ku përfaqësimi i shqiptarëve në polici, ushtri, gjyqësor dhe administratë publike ishte pothuajse ekzistues. Përveç kësaj, u mohua e drejta e arsimimit të lartë në gjuhën amtare dhe përdorimi zyrtar i shqipes, ndërsa kërkesat politike shpesh u shtypën me dhunë policore, siç treguan ngjarjet në Gostivar e Tetovë në vitin 1997.
Ngjarjet e vitit 2001 ndryshuan rrjedhën e historisë. Ushtria Çlirimtare Kombëtare e riformuloi kërkesën shqiptare jo për shkëputje apo ndryshim kufijsh, por për ridefinimin e shtetit mbi parimin e barazisë. Traktati i Ohrit vendosi tri shtylla kryesore mbrojtëse:
Mekanizmin e Badinterit, i cili vendosi parimin e shumicës së dyfishtë për ligjet që prekin kulturën, gjuhën dhe arsimin, duke parandaluar mbivotimin nga shumica etnike.
Përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si një detyrim kushtetues për përfshirjen e shqiptarëve me kuota në të gjitha strukturat shtetërore.
Decentralizimin dhe statusin e gjuhës, që solli ridizajnimin e kufijve komunalë dhe njohjen e statusit zyrtar të gjuhës shqipe.
Anatemia e demontimit:
Si po Goditet mbrojtja kushtetuese!
Dy dekada e gjysmë më pas, kjo arkitekturë mbrojtëse po i nënshtrohet një procesi çmontimi përmes interpretimeve juridike dhe riorganizimit të pushtetit.
Së pari, po goditet gjuha shqipe.
Tentativat për të rishikuar apo shfuqizuar nene kyçe të ligjit për përdorimin e gjuhëve nga gjykata kushtetuese synojnë të prekin përdorimin e saj në drejtësi dhe në procedurat zyrtare.
Kjo rrezikon ta kthejë shqipen nga një gjuhë shtetformuese në një përdorim dytësor apo thjesht lokal.
Së dyti, shfuqizimi i mekanizmit që garantonte përfaqësimin etnik në punësimet publike, i njohur si balancuesi, pa u miratuar më parë një ligj i ri mbrojtës me fuqi ekzekutive, po hap rrugën për rikthimin e mono-etnizmit në administratë.
Së treti, po tjetërsohet parimi i badinterit dhe legjitimiteti politik.
Përmes anashkalimit të fituesit të votës te blloku shqiptar gjatë formimit të koalicioneve, shumica absolute arrin të zgjedhë partnerin shqiptar sipas preferencës, duke reduktuar peshën reale të vullnetit të popullit shqiptar.
Fushëbeteja hapësinore:
Arkitektura, toponimia dhe Shkupi!
Lufta për statusin e shqiptarëve nuk zhvillohet vetëm në letra ligjore, por edhe në hapësirën publike.
Shkupi është kthyer në një fushëbetejë simbolike mes dy narrativave.
Nga njëra anë, projekti urbanistik Shkupi 2014 synoi mbizotërimin vizual të historiografisë antikizuese e sllave mbi trashëgiminë ilire e osmane.
Nga ana tjetër, përpjekjet për fshirjen apo ndryshimin e emrave shqip nga shkollat dhe rrugët përbëjnë një përpjekje për të fshirë kujtesën kolektive dhe për ta paraqitur elementin shqiptar si të përkohshëm.
Përkundrejt kësaj, Çarshia e Vjetër dhe Sheshi Skënderbeu mbeten bërthama e rezistencës kulturore në anën tjetër të lumit Vardar.
Dimensioni gjeopolitik:
Aleksandër Dugin dhe Bota Sllave!
Analiza e këtij procesi mbetet e paplotë pa parë prapavijën ideologjike gjeopolitike, e cila lidhet me doktrinat euroaziatike që e shohin Ballkanin si një hapësirë përplasjeje mes Perëndimit dhe Lindjes.
Në vizionin e ideologut rus Aleksandër Dugin dhe doktrinave simotra pan-sllave, Maqedonia e Veriut shihet si një nga frontet ku duhet ndalur ndikimi i NATO-s dhe Perëndimit.
Ndërtimi i një shteti me mbizotërim mono-etnik lehtëson depërtimin e ndikimit lindor.
Meqenëse faktori shqiptar në rajon është një nga shtyllat më pro-perëndimore, çdo goditje ndaj barazisë së shqiptarëve dhe çdo destabilizim i Traktatit të Ohrit i shërben çorientimit të rrugëtimit strategjik të vetë shtetit.
Rrugëdalja:
Udhëkryqi ekzistencial dhe misioni i ri!
Në këtë 25-vjetor, faktori politik dhe shoqëror shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndodhet përballë një zgjedhjeje ekzistenciale.
Situata kërkon kalimin nga politika e konsumimit të pushtetit te mbrojtja e substancës kushtetuese.
Kjo kërkon vendosjen e disa linjave të kuqe:
Paprekshmëria e gjuhës shqipe si e drejtë e patjetërsueshme shtetformuese.
Miratimi i menjëhershëm i një ligji të ri për përfaqësim të drejtë e me fuqi ekzekutive.
Mbrojtja e plotë e mekanizmit të badinterit për të ndaluar çdo formë të majorizimit parlamentar.
Marrëveshja e Ohrit nuk ishte një dokument me afat skadence, por kontrata sociale mbi të cilën mbahet paqja dhe vetë ekzistenca e Maqedonisë së Veriut. Cenimi i saj rrezikon ta kthejë vendin në ciklin e krizave të thella që paraprinë vitin 2001.
