AKTUALE

Talat Xhaferi si simbol i inferioritetit të shqiptarit që e ka prodhuar BDI-ja


Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Në zgjedhjet e vitit 2020 BDI-ja doli në fushatë me premtimin se nëse shqiptarët votojnë për atë parti, ata do ta kenë në atë qeveri Kryeministrin e Parë Shqiptar. Për t’u dukur më bindës, ata e nominuan ish deputetin e PPD-së, Naser Zyberi, për këtë pozitë dhe pastaj e shëtitën nëpër çdo tubim zgjedhor, duke kërkuar vota për t’u bërë ai kryeministër.

E çka ndodhi pas atyre zgjedhjeve? Ajo që dihej nga çdo shqiptar. Krejt ajo kishte qenë një mashtrim i madh elektoral. Kështu, sapo përfunduan zgjedhjet, thanë se nuk e kanë pasur fjalën për kryeministër të plotfuqishëm, porse për kryeministër teknik, që – për neve që i dimë këto nocione – ka dallim njësoj si Alija e Ilija. Vërtet janë vetëm dy fonema, por janë dy identitete.

Kështu, në vend se të turpërohen e të kërkojnë falje pse e kanë mashtruar votuesin shqiptar, ata këtë mashtrim sot duan ta shpallin fitore, duke i trajtuar shqiptarët si qenie inferiore e harrestare.

Do të mbahet mend ajo skena kur, pata votimit të qeverisë, e pyesin Ali Ahmetin se “Ku është kryeministri shqiptar?” dhe ai, i zënë ngusht dhe pa përgjigje, bën me shenjë kah Zaevi. Siç e dimë pastaj, kryeministër pas zgjedhjeve të viti 2020 u bë Zoran Zaevi e më pas Dimitar Kovaçevski, ndërsa tash, kur shteti po shkon në zgjedhje dhe duhet të ketë qeveri teknike, i jepet mundësia një shqiptari që në këto 100 ditë të jetë aty administrator për të organizuar zgjedhje. Natyrisht, edhe me u mburr nëpër tubime me “kryeministrin shqiptar”. Kaq ka Talat Xhaferi nga kryeministri.

Simbolika që ata duan ta shpallin si fitore, se gjoja kemi kryeministër shqiptar është shprehje e kompleksit të vlerës së ulët. Domethënia e saj është se shqiptarët në pozitat kryesore në shtet mund të jenë vetëm si persona teknikë.

Në vend se të synojmë të jemi komb politik, BDI-ja po na shet për “komb teknik”.

Prandaj do e rrahin gjoksin se kanë prodhuar shqiptar teknik si kryeministër teknik në qeveri teknike. Ky është shqiptari i BDI-së.
P.S. Natyrisht, për bashkëkombësit tanë të Shqipërisë e Kosovës ky është akt i përafërt me shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali. Por, ata nuk janë temë e këtij postimi. Ata e kanë hallall lajthitjen.

Banner

Related posts

Një tërmet është ndjerë në Shkup

Gjyla Halili

Ligji për përfaqësim të drejtë është gati, por duhet të harmonizohet mes tre partnerëve të koalicionit

Gjyla Halili

Moti sot | Bild.mk

admin