
Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së hapësirës së parkingut te Vero në listën e pronave publike për shitje gjatë vitit 2026.
Sipas tij, me Planin Detal Urbanistik në atë hapësirë ka qenë e paraparë ndërtimi i një parkingu në kate, projekt që do të ndihmonte në zbutjen e kaosit në komunikacion dhe do t’u shërbente qytetarëve të Tetovës.
Rexhepi akuzon shumicën komunale VMRO–VLEN dhe kryetarin aktual të komunës se po ndjekin të njëjtin model si në rastin “Monopoli”, duke ndryshuar planet urbanistike dhe duke hapur rrugë për tjetërsimin e pronës publike në favor të interesave të ngushta politike dhe afariste.
“Tetova po betonizohet pamëshirshëm, qytetarët po mbeten pa hapësira publike, ndërsa prona e përbashkët po shitet”, thuhet në reagimin e tij.
Ai thekson se kjo, sipas BDI-së, përbën “plaçkitje të organizuar të Tetovës” dhe shton se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi.
Ja postimi plotë:
❗️Në listën e “shitjes” së pronës publike për vitin 2026 është futur edhe Parkingu te Vero.
👉Me Planin Detal Urbanistik, në këtë hapësirë është paraparë ndërtimi i parkingut në kate, një zgjidhje që do t’u shërbente qytetarëve dhe do ta lehtësonte qarkullimin në qytet.
Por modeli tashmë i njohur nga rasti “Monopoli” po përsëritet. Shumica e këshillit komunal VMRO–VLEN, në krye me kryetarin aktual, brenda natës voton ndryshim të planeve dhe hap rrugë që prona publike të tjetërsohet dhe interesat e qytetarëve të zëvendësohen me interesa të ngushta pranë pushtetit.
Tetova po betonizohet pamëshirshëm.
Qytetarët po mbeten pa hapësira publike.
Prona e përbashkët po shitet.
Kjo plaçkitje e organizuar e Tetovës do të ndalet dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi!