AKTUALE

Shoqata e të Burgosurve Politik vendos kurora lulesh në inaugurimin e shtatores së heroit Afrim Zhitia

Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës ka nderuar sot heroin e kombit Afrim Zhitia, me rastin e inaugurimit të shtatores së tij, duke vendosur kurora me lule të freskëta dhe duke kujtuar sakrificën e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Në këtë ceremoni solemne, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe qytetarë të shumtë, u theksua se figura e Afrim Zhitias mbetet frymëzim i përhershëm për gjeneratat e reja. Përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politik theksuan se akti i tij heroik është një dëshmi e vendosmërisë së popullit shqiptar për liri dhe dinjitet.

“Ne, si të burgosur politik, dhe shokë të burgut, e ndjejmë obligim moral dhe historik që gjithmonë të jemi pranë veprës së Afrim Zhitias dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Ai u bë simbol i guximit dhe sakrificës, duke treguar se rruga e lirisë kërkon përkushtim dhe flijim,” u shpreh njëri nga përfaqësuesit e Shoqatës.

Homazhe para shtatores së Afrim Zhitisë bënë dhe shokët e burgut nga Zabella e Pozharevcit, bashkëvuajtës me Afrim Zhitinë, si : Nezir Myrtaj, Bajrush Xhemajli, Xhevat Ademi, Murat Bytiqi, Ibrahim Xhemajli, Selim Lulaj, Avdush Nimani, shokë të cilët me Afrimin ka qenë në burgun e Pozharevcit.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 dhe ra heroikisht më 2 nëntor 1989, në moshën 24-vjeçare, duke luftuar kundër forcave serbe. Sot ai kujtohet si një nga figurat më të ndritura të rezistencës shqiptare në Kosovë.

Vendosja e kurorave nga Shoqata e të Burgosurve Politik shënoi një moment të veçantë nderimi, duke e bërë edhe më domethënës inaugurimin e shtatores së heroit, që tashmë do të qëndrojë si kujtesë e gjallë në zemrën e kryeqytetit.

Banner

Related posts

PROMOVOHEN 12 TITUJ,  BOTIME TË BASHKËSISË FETARE ISLAME

Gjyla Halili

Zef Berishaj falënderon donatorët dhe pjesëmarrësit për mbështetjen në eventin “Babë dhe Bijë”

Gjyla Halili

Vazhdon debati publik për ndryshime ligjore për siguri më të madhe në komunikacion

Gjyla Halili