Në Tetovë së shpejti mund të ketë zgjedhje! Me pranimin e nismës së BDI-së për rivotimin e vendimit të vitit 2007, Këshilli Komunal i Tetovës mund të shpërbëhet dhe shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kryetari i Këshillit, Jusuf Abduli tha se ligjërisht, nëse votohet sërish një vendim i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli shpërndahet automatikisht dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“Vlen të caktohet se në rast të votimit të të njëjtës pikë, mund këshilli edhe të shpërndahet. Nëse marrim për bazë vendimin e gjykatës kushtetuese ku me vendim të tyre u rëzuan emrat e rrugëve dhe sheshit të Tetovës. Informacionet dhe konsultat tona me shërbimet juridike janë që në rast se sillet i njëjti vendim mundësitë janë shumë të mëdha që këshilli i komunës së Tetovës të shpërndahet. Në rast se këshilli vendos, ne mund edhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme për këshill komunal”, tha Jusuf Abduli.
Profesori universitar Mersin Maksuti shpjegon procedurat dhe sipas tij, zgjedhjet janë të pashmangshme nëse votohet përsëri i njëjti vendim.
“Neni 73 i ligjit për qeverisje lokale parasheh kushte në të cilat këshilli komunal mund të shpërndahet. Dhe një nga situatat ku këshilli komunal mund të shpërndahet, sipas nenit është ajo që nëse një dispozitë e cila ka sjell këshilli i komunës është pranuar prap në arkivë, është anuluar ose është ndërprerë nga Gjykata Kushtetuese, në këtë situatë pra këshilli komunal shkon në shpërndarje dhe kjo është situatë në të cilën në rastin konkret, po, gjykata kushtetese e ka anluaur një akt të mëhershëm të këshillit komunal dhe situata e tillë të çon në shpërndarjen e këshillit komunal të Tetovës”, deklaroi Mersin Maksuti.
Seanca e këshillit është caktuar për të hënën më 13 korrik, ku në rend dite do të jetë edhe pika për rivotimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve në Tetovë.
Përndryshe, për të shtunën, 11 korrik, BDI ka thirrur protestë para komunës së Tetovës në shenjë revolte për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe sheshit të qytetit.
