Gjatë diskutimit për buxhetin në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Tuzit, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, foli për rëndësinë e mbështetjes financiare nga niveli qendror dhe nevojën që këto mjete të shndërrohen në projekte konkrete, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Camaj theksoi se, përmes ligjeve të miratuara në Parlamentin e Malit të Zi, Komunës së Tuzit i sigurohen mbi 2 milionë euro në vit, ndërsa përmes donacioneve buxhetore janë siguruar edhe mbi 1,5 milionë euro shtesë në vit.
“Këto janë mjete të konsiderueshme, që krijojnë mundësi reale për zhvillimin e Tuzit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kontributi nga niveli qendror nuk do të mungojë as në të ardhmen”, u shpreh Camaj.
Ai vlerësoi se përdorimi i këtyre mjeteve duhet të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe në përputhje me qëllimet për të cilat janë paraparë. Sipas tij, investimet duhet të reflektohen në jetën e përditshme të qytetarëve, veçanërisht në sport, kulturë, mirëmbajtjen e hapësirave publike, shërbimet komunale dhe mbrojtjen e mjedisit.
Camaj nënvizoi se këto janë nevoja të domosdoshme të komunitetit, ndërsa investimet e tjera duhet të orientohen drejt zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.
Ligji për Plantacionet “13 Korriku” dhe mbrojtja e interesave të Tuzit
Gjatë fjalës së tij, Camaj veçoi edhe një nga çështjet që e cilësoi si të rëndësishme për interesat financiare të Komunës së Tuzit: miratimin në Parlamentin e Malit të Zi të ligjit me amendamentin e tij, përmes të cilit, sipas tij, komuna lirohet nga detyrimi për kthimin e mjeteve ndaj Plantacioneve “13 Korriku”, të cilat i kishte marrë vite më parë.
Ai theksoi se angazhimi i tij në këtë çështje ka pasur rëndësi për ruajtjen e interesave të komunës.
Camaj bëri të ditur gjithashtu se Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tërhoqi padinë e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilës vihej në pikëpyetje ligji në fjalë.
Rrethrrotullimi në Tuz: një projekt pas vitesh pengesash
Një tjetër çështje e përmendur nga Camaj ishte ndërtimi i rrethrrotullimit në Tuz, projekt për të cilin, sipas tij, angazhimi i tij personal ka ndihmuar në krijimin e kushteve për realizim.
Ai theksoi se ky projekt kishte hasur në pengesa për vite me radhë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit institucional për zgjidhjen e çështjeve infrastrukturore me interes për qytetarët.
Ja postimi plotë:
🇦🇱
Sot dita kaloi në Kuvendin komunal të komunës sonë. Natyrisht se nuk më kalonte dot, pa i thënë ca fjalë, sidomos kur flitet për buxhetin, kur edhe keyetari vlerëson kontributin e dhënë nga “lart” për të pas një buxhet zhvillimor, për të cilin, kontributi ynë është i veçantë.
Natyrisht se kësaj i shkoi në favor edhe opozita tejet konstruktive, edhe pse, promovuesit e Dostojevskit, munguan.
Përndryshe, përmes Parlamentit të Malit të Zi, kemi miratuar ligje që i sigurojnë Tuzit mbi 2 milionë euro në vit. Po ashtu, përmes donacioneve buxhetore kemi siguruar mbi 1,500.000, € shtesë në vit.
Këto janë mjete të konsiderueshme, që krijojnë mundësi reale për zhvillimin e Tuzit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kontributi nga niveli qendror nuk do të mungonjë as në të ardhmen. Jemi më se të sigurt se këto mjete shfrytëzohen me përgjegjësi dhe në përputhje me qëllimet për të cilat janë paraparë.
Mbi të gjitha, investimet duhet të reflektohen në jetën e përditshme të qytetarëve: në sport, kulturë, mirëmbajtjen e hapësirave publike, shërbimet komunale dhe mbrojtjen e mjedisit.
Këto janë nevoja të domosdoshme, ndërsa mjetet e tjera duhet të orientohen drejt zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.
Nuk mundem pa permend se Parlamenti i Malit te Zi, miratoi ligjin, me amandmentin tim, me të cilin komuna jonë lirohet nga kerkesat per ti kthye mjetet Plantacioneve “13 korriku”, të cilat komuna i kishte marr vite me pare. Fale angazhimit tim, Presidenti i MZ, Jakov Millatoviq, terhoqi aktpadinë te Gjyqi kushtetues për të sjell në pyetje këtë ligj.
Po ashtu, nuk mundem ketu pa e veçua edhe faktin se ndikimi personal solli edhe deri te krijimet e kushteve për ndertimin e rrethrrotullimit në Tuz, që ishte pengesë vite me radhe.
Dhe, përfundimisht, nuk mundem pa e përmend edhe çështjen e Lumit Cem, i cili është një nga simbolet kryesore të komunës dhe të qytetit tonë.
Duke shpreh shqetësimin për faktin se reagimet institucionale nuk po ndodhin në kohën dhe vendin e duhur, sepse, në raste të tilla, shteti do të duhej të reagojë me përgjegjësi dhe në kohë, për ta ruajtur Lumin Cem, nuk mundem pa e shprehë drojen se veshtirë të merret seriozisht, nëse reagimi vjen nga shteti ekologjik, i cili, për përfitime personale, lumenjtë më të bukur i ka futur në tubacione.
Sidoqoft, presim më të mirën!
