Politika duhet të vlerësohet mbi bazën e punës konkrete, rezultateve, zhvillimit dhe aftësisë së dëshmuar për menaxhim, ka theksuar Nik Gjeloshaj në një mesazh drejtuar opinionit publik.
Sipas tij, ndershmëria, transparenca, përgjegjësia dhe qeverisja pa korrupsion janë parime të panegociueshme mbi të cilat duhet të ndërtohet veprimi politik.
Gjeloshaj ka theksuar se ambiciet personale, inatet dhe nënshtrimi ndaj interesave të huaja nuk mund të vendosen mbi interesin e qytetarëve dhe të shqiptarëve.
Në këtë kuadër, ai ka bërë të ditur se Forumi Shqiptar është në përgatitje të Kuvendit të Madh Unifikues, duke u bërë thirrje të gjithë atyre që besojnë në këto parime dhe që kanë dije, vullnet dhe gatishmëri për të dhënë kontribut, t’i bashkohen kësaj nisme.
“Forumi nuk është pronë e askujt dhe nuk i përket asnjë individi. Forumi është i shqiptarëve”, thuhet në mesazhin e tij.
Sipas Gjeloshajt, Forumi Shqiptar është një lëvizje politike e ngritur mbi punën, sakrificën dhe kontributin e shqiptarëve, si në trojet e tyre ashtu edhe në diasporë.
Ai e ka cilësuar Forumin si një forcë që ka kaluar shumë sfida dhe që do të vazhdojë të përballet me to, pa iu nënshtruar askujt tjetër përveç vullnetit të qytetarëve dhe interesit të shqiptarëve.
Në fund, Gjeloshaj ka theksuar se rruga e Forumit Shqiptar mbetet bashkimi mbi parime dhe jo rreth individëve, si dhe vlerësimi i punës dhe rezultateve përballë interesave personale.
“Bashkimi mbi parime, jo rreth individëve; mbi punë e rezultate, jo mbi interesa personale. Kjo është rruga jonë”, përfundon mesazhi.
Nik Gjeloshaj
Forumi Shqiptar
