AKTUALE

KRIMI, NDËSHKIMI,  KONFISKIMI DUKE NDJEKUR PARANË:

Shkruan: Azgan Haklaj

Në historinë e mendimit njerëzor, pak vepra kanë depërtuar aq thellë në ndërgjegjen kolektive sa “Krim dhe Ndëshkim” i Fjodor Dostojevskit dhe postulati universal “Ndiq Paratë”.
Njëra na mëson se çdo krim, pavarësisht justifikimeve ideologjike apo pushtetit të autorit, kërkon domosdoshmërisht ndëshkim.
Tjetra na mëson se, për të zbuluar të vërtetën, duhet të ndiqet rrjedha e parasë.
Së bashku, ato formojnë një udhërrëfyes moral dhe institucional për çdo shoqëri që synon të ndërtojë drejtësi, zhvillim dhe demokraci funksionale.

Sot, Shqipëria ndodhet përballë një prej sfidave më të mëdha të historisë së saj moderne: korrupsionit të organizuar të jakave të bardha, aleancës politiko-oligarkike me krimin e organizuar që për vite me radhë ka deformuar ekonominë, ka dobësuar institucionet, ka cenuar konkurrencën e ndershme dhe ka nxitur emigrimin masiv të qytetarëve.

Ky nuk është më një fenomen abstrakt.
Ai është shndërruar në një mekanizëm mbytës që pengon zhvillimin e vendit, rrënon besimin e qytetarëve dhe rrezikon vetë themelet e shtetit demokratik.
Pasuria publike është trajtuar shpesh si pronë private, ndërsa lidhjet e paligjshme mes pushtetit politik dhe interesave ekonomike kanë krijuar një sistem ku përfitimi i pakicës është ndërtuar mbi sakrificën e shumicës.

Pikërisht për t’i dhënë fund këtij realiteti u krijua Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Krijimi i këtij institucioni nuk ishte një akt formal apo një reformë dekorative.
Ai ishte një kontratë historike me shoqërinë shqiptare dhe një angazhim i qartë ndaj partnerëve dhe aleatëve euroatlantikë të Shqipërisë.

Prandaj, sot, SPAK po vepron me vendosmëri. Veprimi nuk po kufizohet vetëm në ndjekjen penale të individëve, por po shtrihet mbi vetë mekanizmin ekonomik të korrupsionit.
SPAK po ndjek paranë dhe po identifikon përfituesit realë, duke gjurmuar pasuritë e pajustifikuara.
Po konfiskon asetet e ndërtuara mbi abuzimin me fondet publike dhe po i jep fund pandëshkushmërisë si parim i panegociueshëm i shtetit të së drejtës.
Është e qartë se pa konfiskim, drejtësia mbetet e papërfunduar.
Pa ndëshkim, krimi kthehet në model suksesi.
Pa përgjegjësi, demokracia humbet kuptimin e saj.

Ashtu siç Dostojevski tregoi se asnjë teori nuk mund ta legjitimojë krimin, asnjë justifikim politik, ekonomik apo ideologjik nuk mund të legjitimojë grabitjen sistematike të interesit publik.
Asnjë pushtet nuk mund të jetë mbi ligjin dhe asnjë status nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj drejtësisë.

Në këtë kontekst, protesta 24-ditore e qytetarëve shqiptarë, e cila ka krijuar jehonë edhe përtej kufijve të vendit, nuk duhet parë si një episod kalimtar i pakënaqësisë sociale, por si shprehje e një kërkese të qartë qytetare për rivendosjen e kontratës së besimit mes shtetit dhe shoqërisë.

Ky zë nuk është kundër drejtësisë së re; përkundrazi, ai është në akord me drejtësinë e misionin e saj.
Ky zë plebishitar nuk është një kërkesë për hakmarrje, por për barazi para ligjit.
Nuk është një përplasje politike, por një kërkesë për mbijetesën demokratike të vendit.

Historia e ka treguar se çdo vonesë në përballjen me korrupsionin e organizuar prodhon pasoja shumëfish më të mëdha për brezat e ardhshëm.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë mirëqenie mbi pandëshkueshmërinë.
Nuk mund të ndërtojë ekonomi konkuruese mbi privilegjin e paligjshëm.
Nuk mund të ndërtojë demokraci mbi frikën dhe mosbesimin.

Sot është momenti që filozofia e “Krim dhe Ndëshkim” të takohet me parimin “Ndiq Paratë”.
Të ndiqet origjina e pasurisë.
Të ndiqen rrjetet e përfitimit.
Të konfiskohen produktet e korrupsionit dhe të ndëshkohen autorët e tij.

Kjo nuk është thjesht një domosdoshmëri juridike. Është një domosdoshmëri kombëtare.

Shqipëria ka nevojë për një epokë të re, ku sundimi i ligjit të zëvendësojë sundimin e interesit, ku pasuria publike të mbrohet dhe ku qytetarët të rifitojnë besimin se shteti punon për ta.
Sot është koha që opozita të çlirohet nga pengu i mazhorancës për të kryer misionin e saj si gardiane e ruajtjes së shtetit nga kapja e pushtetit.

Misioni i SPAK-ut në aleancë me referendumin qytetar është është imperativ historik për të shembur republikën e korrupsionit të konstruktuar nga Binomi Berisha & Rama me marrveshjen e vitit 2008 pas atentatit që i bënë kushtetutës dhe asgjesuan votën e lirë si gur themel i shtetit të së drejtës, themelimin e një Republike të Re me kushtetutë të re.

Ky është detyrimi ndaj shoqërisë shqiptare.

Ky është detyrimi ndaj së ardhmes së Shqipërisë.

Ky është detyrimi ndaj aleatëve euroatlantikë.

Banner

Related posts

Ali Ahmeti para protestës në Tiranë, takoi Presidentin Bajram Begaj

Gjyla Halili

Makina del nga rruga, Shkupjani humb jetën në vendngjarje

Gjyla Halili

Taravari: VLEN do e bëjë historinë te shqiptarët e Maqedonisë!

Gjyla Halili